Baggio: Futbolli ishte gjithçka për mua, ajo penallti më ndjek ende
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Legjenda e futbollit italian, Roberto Baggio, ka rrëfyer edhe një herë lidhjen e tij të jashtëzakonshme me futbollin, duke e cilësuar sportin si dashurinë më të madhe të jetës së tij.
Gjatë prezantimit të librit “Luce nell’ombra” në Salone del Libro, ish-ylli italian kujtoi pasionin e madh që kishte që në fëmijëri për topin e futbollit.
“Për mua ekzistonte vetëm futbolli. Mbaj mend që haja me topin në tavolinë dhe babai më qortonte, por unë kisha frikë se dikush mund të ma vidhte. Ishte si një sëmundje”, tha Baggio.
Ai tregoi se dëshira për të luajtur nuk i ndahej asnjëherë, duke kaluar orë të tëra me topin edhe brenda shtëpisë.
“Doja të luaja futboll 24 orë në ditë. Edhe gjumi më dukej humbje kohe. Nuk mund të rrija kurrë ulur, gjithmonë kërkoja një mënyrë për të luajtur”, u shpreh ish-fituesi i Topit të Artë.
Baggio foli edhe për periudhat e vështira gjatë karrierës së tij, sidomos dëmtimet e shumta, të cilat sipas tij e kanë bërë më të fortë.
“Çdo ditë që stërvitesha apo luaja, i thoja vetes se isha me fat. Lëndimet dhe vuajtjet të bëjnë të rritesh. Çdo ndeshje për mua ishte një dhuratë”, deklaroi ai.
Megjithatë, kujtimi që vazhdon ta shoqërojë edhe sot është penalltia e humbur në finalen e Kupës së Botës 1994 ndaj Brazilit, një nga momentet më të dhimbshme të karrierës së tij.
“Kur nuk më zë gjumi, mendimet më kthehen te ajo ditë. Nganjëherë mendoj se sa e mrekullueshme do të kishte qenë sikur gjithçka të kishte përfunduar ndryshe”, përfundoi Baggio.























