Silva dhe Man City drejt ‘divorcit’
F.Bytyqi/RTKLive
Mesfushori i Manchester City, Bernardo Silva, pritet të largohet nga klubi në fund të qershorit, pas përfundimit të kontratës së tij me kampionët e Anglisë.
31-vjeçari ka qenë një nga figurat kyçe të skuadrës së Pep Guardiola që nga transferimi i tij nga Monaco në vitin 2017, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të epokës së artë të klubit.
Gjatë qëndrimit të tij në “Etihad”, Silva ka regjistruar mbi 450 paraqitje dhe ka fituar 18 trofe, përfshirë gjashtë tituj të Premier League dhe triumfin historik në Ligën e Kampionëve në vitin 2023.
Largimi i tij pritet të jetë emocional, veçanërisht në ndeshjen ndaj Aston Villa më 24 maj, që mund të jetë paraqitja e tij e fundit në “Etihad”.
Silva ka bërë të ditur se dëshiron të vendosë për klubin e ri para fillimit të Kupës së Botës, në mënyrë që të jetë i fokusuar plotësisht me kombëtaren e Portugalisë.
“Po, dua të vendos për klubin tim të ardhshëm para Kupës së Botës. Do të doja të shkoja me Portugalinë duke e pasur të ardhmen time të zgjidhur,” është shprehur ai.
Kupa e Botës nis më 11 qershor, ndërsa Portugalia e nis rrugëtimin më 17 qershor, duke i lënë Silvës pak më shumë se një muaj për të finalizuar destinacionin e tij të ri.























