Tërheqja e mjeteve të RTK-së pritet të ndikojë në pagesa |Video
Visar Shatrolli / RTK
Radiotelevizioni i Kosovës po përballet me një nga goditjet më serioze financiare të viteve të fundit, pasi një procedurë përmbarimore ka rezultuar me tërheqjen e rreth 1 milion eurove nga llogaritë e transmetuesit publik, shumë kjo që rrezikon seriozisht funksionimin e Transmetuesit Publik.
Procedura është iniciuar nga kompania “Grand Media”, me pronar Enis Ujkanin, pas një vendimi të Gjykatës Komerciale, e cila ka refuzuar prapësimin e RTK-së dhe ka lënë në fuqi urdhrin përmbarimor të dhjetorit të vitit 2025.
Në bazë të këtij vendimi, përmbaruesi ka vazhduar me ekzekutimin financiar, duke bllokuar llogaritë financiare të RTK-së.
RTK pati kërkuar shtyrje të përkohshme të ekzekutimit deri në vendimin e shkallës së dytë, duke paralajmëruar se bllokimi i menjëhershëm i mjeteve do të shkaktonte pasoja të rënda, përfshirë pamundësinë për pagesën e pagave të punonjësve dhe mbulimin e obligimeve bazike kontraktuese.
“Sot kemi marrë një njoftim prej bankës ku janë bllokuar llogaritë bankare të Radio Televizionit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë është tërhequr një shumë financiare afër një milion euro, apo më saktësisht nëntëqind e pesëdhjetë mijë e shtatëqind e tre euro (950703)”, ka thënë Gazmend Rexhepi, drejtor i Financave në RTK.
Ai ka thënë se kjo është goditja më e madhe financiare që i është bërë Televizionit Publik.
“Kjo është një lajm shumë i keq në aspektin financiar për Radio Televizionin e Kosovës, për arsye se buxheti i ndarë për gjashtëmujorin e parë, faktikisht kjo shumë e ndarë ka qenë e dedikuar dhe e rezervuar vetëm për dy paga, për muajin maj dhe qershor. Kjo do të thotë se RTK tani për tani nuk ka asnjë shumë financiare për të bërë pagesa ose për t’i kryer obligimet ndaj punëtorëve të RTK-së. Shpenzimi më kryesor, apo pjesa më e rëndësishme si kategori, të cilën e ka obligim RTK ndaj punëtorëve”, ka shtuar Rexhepi.
Megjithatë, kreditori ka kërkuar ekzekutim të menjëhershëm të detyrimit përmes bllokimit dhe tërheqjes së mjeteve nga llogaritë bankare, duke argumentuar se vendimi gjyqësor është i formës së prerë dhe duhet të zbatohet pa vonesë.
Por sipas Nenit 63 të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, organi përmbarues mund të vendosë shtyrjen e ekzekutimit në varësi të rrethanave të rastit, por jo përtej kufirit ligjor të parashikuar, përveç përjashtimeve të veçanta, gjë të cilin përmbaruesi Flamur Bogaj nuk e ka bërë.
Kjo situatë ka ngritur shqetësime në RTK për presionin financiar që po ushtrohet ndaj transmetuesit publik në një periudhë të mungesës së stabilitetit buxhetor, duke shtuar dyshimet për ndikim përtej aspektit thjesht juridik të rastit.
Para se të bëhej tërheqja e mjeteve, menaxhmenti i RTK-së pati paralajmëruar për pasojat serioze që ky veprim do t’i shkaktonte transmetuesit, duke rrezikuar edhe funksionimin normal të RTK-së e po ashtu duke krijuar efekte zinxhirore në pagesa, operacione dhe stabilitet institucional.
RTK ka bërë të ditur se do të shfrytëzojë edhe mjete të tjera juridike, përfshirë revizionin në Gjykatën Supreme, duke e cilësuar situatën si rrezik të drejtpërdrejtë për interesin publik dhe funksionimin e një institucioni me rëndësi kombëtare.
Sidoqoftë me gjithë ankesat në Gjykatën Komerciale në dhomat e shkallës së dytë është ende në shqyrtim dhe po ashtu Revizioni I parashtruar nga të dyja palët në Gjykatë supreme, përmbaruesi privat ka bllokuar mjetet në llogarinë bankare të RTK-së.
Përmbaruesi Flamur Bogaj për shkak të rastit në fjalë ishte suspenduar me vendim të Ministrisë së Drejtësisë.
Ndërkohë, Origjina e kontestit lidhet me kontratën e vitit 2011 me kompaninë “Grand Media”. Për realizimin e emisionit “Kush do të bëhet milioner”, ndërprerja e së cilës ka sjellë pasoja të mëdha financiare që tashmë po materializohen përmes ekzekutimit përmbarimor.























