Rashford gati të sakrifikojë milionat për të qëndruar te Barcelona
F.Bytyqi/RTKLive
Marcus Rashford është i gatshëm të ndryshojë marrëveshjen e tij me Barcelonwn në përpjekje për të siguruar largimin përfundimtar nga Manchester United.
Sulmuesi anglez aktualisht është i huazuar te Barcelona, ndërsa marrëveshja përfshin një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh (rreth 25.9 milionë funte). Megjithatë, klubi katalanas raportohet se heziton ta aktivizojë këtë klauzolë para hapjes së afatit kalimtar veror.
Rashford ka zhvilluar një sezon pozitiv në “Camp Nou”, duke regjistruar 14 gola dhe 14 asistime në 48 ndeshje me fanellën blaugrane. Barcelona dëshiron ta mbajë sulmuesin, por vetëm nëse ai pranon ulje të konsiderueshme të pagës.
Sipas “Mundo Deportivo”, 28-vjeçari kishte arritur marrëveshje paraprake për një kontratë trevjeçare, ku do të pranonte ulje prej 40 për qind të pagës që fiton te Manchester United.
Megjithatë, raportimet e fundit bëjnë të ditur se Rashford është i gatshëm të heqë dorë nga ajo marrëveshje dhe të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare, gjë që do ta bënte transferimin më të favorshëm financiarisht për Barcelonën.
Vendimi final pritet të merret nga trajneri Hansi Flick në javët e ardhshme. Nëse tekniku gjerman vendos ta mbajë Rashfordin, atëherë klubi duhet të gjejë formulën financiare për ta bërë transferimin të mundur.
Vetë Rashford ka pranuar së fundmi se nuk e ka në dorë vendimin përfundimtar mbi të ardhmen e tij.
“Po, sigurisht. Po e shijoj këtë klub dhe për këdo që e do futbollin, Barcelona është një nga klubet më të mëdha në historinë e lojës. Për një futbollist është nder të luajë këtu”, deklaroi ai.
“Nuk e di. Nuk jam magjistar, por po të isha, do të qëndroja. Do të shohim. Kam ardhur këtu për të fituar dhe dua të fitoj sa më shumë trofe. Kjo skuadër është e mrekullueshme dhe do të fitojë shumë në të ardhmen. Të jem pjesë e kësaj do të ishte diçka speciale”, theksoi Rashford.























