Lewa largohet nga Barça, Flick: Do të na mungojë të gjithëve
BKT
Sport

Lewa largohet nga Barça, Flick: Do të na mungojë të gjithëve

F.Bytyqi/RTKLive

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, vjen me një mesazh emocionues lamtumire për Robert Lewandowski, i cili do të largohet nga klubi në fund të sezonit pas skadimit të kontratës.

Sulmuesi polak konfirmoi se aventura e tij me Barcelonën do të marrë fund këtë verë, duke mbyllur kështu një epokë të rëndësishme për klubin katalanas.

Lewandowski largohet nga “Camp Nou” pas 191 ndeshjeve dhe 119 golave të shënuar, ndërsa gjatë periudhës së tij ndihmoi Barcelonën të fitonte disa trofe, përfshirë edhe tre tituj të La Liga-s.

“Mendoj se ishte një lamtumirë perfekte. Ishte shumë emocionale. Mund ta shihnit se ai e mban Barcelonën në zemër. Jam shumë mirënjohës ndaj Robertit. Ai është një person fantastik dhe një lojtar i klasit botëror”, deklaroi Flick.

Trajneri gjerman theksoi se zëvendësimi i Lewandowskit do të jetë jashtëzakonisht i vështirë për Barcelonën.

“Për 20 vitet e fundit, ai ka qenë numri 9 më i mirë në botë dhe nuk do të jetë e lehtë të gjejmë pasardhësin e tij”, thekoi gjermani.

Ai shtoi se skuadra ka nevojë për një sulmues që jo vetëm lidhet mirë me ekipin, por mbi të gjitha garanton gola.

“Na duhet një numër 9 që është i lidhur me skuadrën, por mbi të gjitha një që shënon gola”, pohoi Flick.

“Ai na ka dhuruar momente të pabesueshme, gola dhe trofe. Do të na mungojë të gjithëve. Është një lojtar i klasit botëror dhe një njeri i mirë”, përfundoi Flick.

Ndërkohë, Manchester United raportohet se është një nga klubet e interesuara për veteranin polak, teksa kërkon përvojë dhe liderizëm në repartin ofensiv.

E ardhmja e Lewandowskit mbetet ende e hapur, ndërsa sulmuesi ka kohë për të vendosur destinacionin e ardhshëm para Kupës së Botës që zhvillohet këtë verë.