Dembele shqetëson PSG-në para finales
BKT
Sport

Dembele shqetëson PSG-në para finales

Uran Krasniqi / RTKLive

Ylli i Paris Saint-Germain, Ousmane Dembele, do t’i nënshtrohet trajtimit mjekësor në ditët e ardhshme për shkak të një problemi në këmbën e djathtë. Kjo ndodhë vetëm pak ditë para finales së Champions League kundër Arsenal.

Klubi francez bëri të ditur të hënën se sulmuesi u zëvendësua pas rreth tridhjetë minutash në humbjen 2:1 ndaj Paris FC të dielën, si masë paraprake pasi kishte ndjerë dhembje.

"Dembele do të jetë nën trajtim gjatë ditëve të ardhshme”, ka njoftuar PSG në një deklaratë zyrtare.

Pavarësisht shqetësimit fizik, futbollisti njëzet e nëntë vjeçar nuk dukej se kishte vështirësi të mëdha pas ndeshjes, pasi është parë duke e lënë stadiumin normalisht dhe pa çaluar.

Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, e ka minimizuar shqetësimin duke deklaruar se problemi mund të jetë vetëm pasojë e lodhjes.

“Mendoj se është thjesht lodhje. Fundi i sezonit ka qenë i vështirë, por tani kemi dy javë kohë për t’u përgatitur për ndeshjen më të madhe në historinë tonë”, ka thënë ai.

Dembele ka pasur disa probleme fizike gjatë këtij sezoni, çka ka ngritur shqetësime te klubi para finales evropiane.

Në të njëjtën kohë, mbrojtësi Achraf Hakimi është rikthyer në stërvitje individuale pas një problemi. Po ashtu, edhe Willian Pacho, Nuno Mendes dhe Lucas Chevalier po rikuperohen, pasi munguan në sfidën ndaj Paris FC.

PSG tashmë ka siguruar titullin kampion në Francë për të pestin vit radhazi dhe të katërmbëdhjetin në histori. Skuadra e Luis Enrique do të përballet me Arsenalin më 30 maj në Budapest, ku synon të mbrojë titullin evropian të fituar për herë të parë sezonin e kaluar.