Nesër Kastrioti-Rahoveci, spektakli i garantuar në ‘Bill Clinton’
BKT
Sport

Nesër Kastrioti-Rahoveci, spektakli i garantuar në ‘Bill Clinton’

F.Bytyqi/RTKLive

Pas pushimit për shkak të aktiviteteve të ekipeve kombëtare, të mërkurën vazhdon gara për titull të kampionit të Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Nga ora 20:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj është finalja e parë e plejofit mes Kastriotit dhe Rahovecit. Përfundimisht spektakli i hendbollit është i garantuar, ndërsa edhe numri i shikuesve pritet të jetë i madh.

Në turneun final të Kupës, arena “Bill Clinton” ishte përplot me shikues dhe njëjtë pritet të jetë edhe në garën për titull të kampionit.

Skuadra që i shënon tri fitore shpallet kampione.

Kastrioti e përfundoi stinorin e rregullt në pozitën e parë, ndërsa në gjysmëfinale të garave shtesë e eliminoi pas dy ndeshjeve skuadrën e Vëllaznimit. Rahoveci, kampioni i edicionit të kaluar, në stinorin e rregullt ishte i dyti. Në gjysmëfinale, po me dy ndeshje, e eliminoi Besa Famgasin.

Kastrioti e ka fituar Kupën e Kosovës dhe do ta ketë përkrahjen e shikuesve në ndeshjen e parë, të tretë dhe eventualisht në ndeshjen e pestë finale. Ndeshja e dytë dhe eventualisht ndeshja e katërt, do të luhen në Rahovec.

Fillimisht i gjithë fokusi është te superndeshja e së mërkurës mbrëma në Ferizaj.