Inaugurohet strehimorja institucionale në veri, investim mbi 630 mijë euro
N.M. /RTKlive
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përuruar sot strehimoren e parë institucionale në veri të vendit, e cila është renovuar me një investim prej 634 mijë eurosh.
Gjatë vizitës në Mitrovicën e Veriut, Haxhiu theksoi rëndësinë e këtij projekti për forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
“Vizitën në pjesën veriore të Mitrovicës e nisëm aty ku shihet qartë dallimi mes shtetit që rikthen ligjin dhe krimit që ka dashur ta mbajë peng”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, kjo është strehimorja e parë në rajon e ndërtuar sipas standardeve të Konventës së Stambollit, ndërsa projekti ishte iniciuar më herët gjatë mandatit të saj si ministre e Drejtësisë, në bashkëpunim me ish-kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Haxhiu bëri të ditur se objekti është ridestinuar për të shërbyer si strehimore për viktimat e dhunës në familje, duke ofruar siguri, kujdes dhe mbështetje për ta.
























