Në RTK Prime diskutohet për zgjedhjet e 7 qershorit
BKT
Lajme

Në RTK Prime diskutohet për zgjedhjet e 7 qershorit

E.Hoti& Sh.Gashi |RTKlive

Në emisionin “RTK Prime”  në RTK është diskutuar për zgjedhjet e 7 qershorit dhe interesimin rekord të diasporës për regjistrim në votime. Panelistët vlerësuan se pjesëmarrja e madhe e mërgatës në procesin zgjedhor tregon lidhjen e fortë të diasporës me Kosovën, por edhe shqetësimin për zhvillimet politike në vend.

Analistja Fatime Hajdari tha se diaspora ka qenë gjithmonë e përfshirë në proceset politike të Kosovës dhe se angazhimi i saj duhet parë si vlerë për vendin.

“Diaspora janë gjithmonë e involvuar në procesin Kosovë, madje unë e konsideroj që edhe diaspora e Shqipërisë është po aq aktive. Kemi një diasporë, të cilët përveç çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe kultivimin e traditës, po merren intensivisht edhe me çështje politike. Unë e konsideroj këtë si vlerë të shtuar”, deklaroi Hajdari.

Ajo shtoi se përfshirja e diasporës në zgjedhje është e rëndësishme për funksionimin demokratik të vendit dhe përfaqëson lidhjen e vazhdueshme të mërgatës me Kosovën.

“Involvimi i tyre direkt në proceset zgjedhore është gjë e mirë, përkundër disa zërave kritikë. Ata kontribuojnë drejtpërdrejt në procesin demokratik siç janë zgjedhjet dhe mbi të gjitha janë edhe zëri i Kosovës. Qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës vazhdojnë ta ndjejnë një lidhje të jashtëzakonshme me vendin e tyre dhe duan të japin kontribut të drejtpërdrejtë edhe në procesin zgjedhor”, tha ajo.

Publicisti Sadik Zeqiri tha se diaspora vazhdon të ketë rol të rëndësishëm jo vetëm politik, por edhe ekonomik për Kosovën.“Sigurisht që diaspora është e interesuar, edhe pse ata kontribuojnë në mirëqenien tonë, sepse ende na ndihmojnë edhe financiarisht. Prandaj kanë dëshirë që të zgjedhin më të mirën në Kosovë për të ecur vendi përpara”, deklaroi Zeqiri.

Ai tha se situata politike në vend pas proceseve të fundit zgjedhore po kalon nëpër një periudhë të gjatë paqartësie politike.

“Ne nuk duhet të jemi shumë të kënaqur me atë çka ka ndodhur në Kosovë nga shkurti i vitit 2025 deri më sot, sepse kemi kaluar nëpër faza të ndryshme zgjedhore që nuk kanë prodhuar zgjidhje, por vetëm zgjedhje dhe telashe”, tha ai duke shtuar se fushata zgjedhore deri më tani po karakterizohet me mungesë dinamike dhe mobilizimi politik.

“Fushatat janë shumë të zbehta. Nuk ka fushatë të madhe, ka fushatë të vogël dhe individuale të kandidatëve për deputetë. Përjashto Lëvizjen Vetëvendosje që e ka bërë prezantimin e kandidatëve për deputetë, të tjerët ende nuk i kanë hapur fushatat”, deklaroi ai.

Zeqiri shtoi se është e rëndësishme që zgjedhjet të prodhojnë stabilitet politik dhe institucional. 

Politologu dhe eksperti i shkencave të sigurisë, Ibrahim Shala, tha se zgjedhjet parlamentare janë aktiviteti më i madh politik në një shoqëri demokratike dhe pjesëmarrja masive e qytetarëve është tregues i rëndësishëm i interesimit për zhvillimet politike.

“Është lajm i mirë se qytetarët janë shumë të interesuar për zgjedhjet që do të mbahen më 7 qershor dhe kjo e qet në pah gatishmërinë e diasporës dhe numrin e madh të paraqitjeve të tyre”, tha Shala.

Ai theksoi se diaspora dhe qytetarët në Kosovë nuk duhet të shihen si dy grupe të ndara.“ Çdo familje kosovare është e ndarë përgjysmë: një pjesë është në Kosovë dhe një pjesë është jashtë vendit”, deklaroi ai.

Sipas Shalës, interesimi i madh i diasporës lidhet edhe me bllokadën politike që ka përcjellë vendin pas zgjedhjeve të fundit.“Duke i parë nga distanca zhvillimet politike dhe perceptimin se Kosova është në një bllokadë pas disa palë zgjedhjeve, qytetarët e ndjejnë këtë krizë dhe kjo i nxit edhe më shumë që të marrin pjesë në votim”, tha ai.

Ai shtoi se pjesëmarrja e madhe e diasporës rrëzon pretendimet se mobilizimi i mërgatës lidhet vetëm me kohën kur mbahen zgjedhjet.“Kjo pjesëmarrje e madhe e demanton tezën se data e zgjedhjeve e përcakton mobilizimin e diasporës. Nuk e përcakton data, por ngjarja dhe interesimi politik”, deklaroi Shala.

Ndërkaq, politologu Dorajet Imeri tha se rezultatet e zgjedhjeve nuk mund të paragjykohen pa përfunduar procesi i votimit, megjithëse sipas tij në zgjedhjet e kaluara është parë një mbështetje më e madhe e diasporës për një subjekt të caktuar politik.

“Faktet janë cinike dhe në shumë palë zgjedhje është treguar qartë që sidomos në zgjedhjet e fundit përqindja ka qenë shumë më e madhe për një subjekt të caktuar politik në raport me subjektet e tjera.”, deklaroi Imeri.

Ai tha se diaspora nuk duhet parë vetëm si burim votash, por si pjesë e rëndësishme e historisë dhe zhvillimit të Kosovës.“Nuk më pëlqen fakti se po krijohet një ndarje mes diasporës dhe qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Diaspora përbëhet nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nuk duhet të shihen vetëm si kontingjent votash. Ata kanë qenë përcaktues në procesin e çlirimit të Kosovës ”, tha Imeri.


MË SHUME NGA Lajme