Ferizaj shpërthen ndaj Genc Nuzës dhe refuzon medaljet pas finales së Kupës
Uran Krasniqi/RTKLive
“Genc Nuza, urime Kupa e Kosovës. Turpi ndryshe nuk është! Ne medalje nuk marrim”, ka shkruar Ferizaj në faqen zyrtare në Facebook pas përfundimit të finales së Kupës së Kosovës.
Reagimi i klubit ka ardhur pas humbjes 2:1 ndaj Dukagjinit në finalen dramatike të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku skuadra nga Klina ka fituar për herë të parë trofeun e Kupës së Kosovës.
Finalja është shoqëruar me tensione të mëdha në minutat e fundit të takimit. Në minutën e tretë të kohës shtesë, futbollistët e Ferizajt kanë kërkuar penallti për prekje të pretenduar me dorë në zonë nga mbrojtësi Albion Pllana.
Megjithatë, gjyqtari Genc Nuza nuk ka akorduar penallti, vendim që ka shkaktuar protesta të ashpra nga lojtarët dhe stafi i Ferizajt.
Pas reagimeve, kapiteni Betim Haxhimusa është ndëshkuar me karton të kuq, ndërsa trajneri Arsim Abazi ka vendosur ta tërheqë skuadrën nga fusha. Futbollistët e Ferizajt i janë drejtuar përkohësisht zhveshtores, duke bërë që ndeshja të ndërpritej për disa minuta.
Pas rikthimit në fushë, takimi ka vazhduar deri në fund, por Ferizaj nuk ka arritur ta barazojë rezultatin. Në fund, Dukagjini ka triumfuar me rezultat 2:1.























