Ferizaj pas finales së Kupës: `Nuk na u lejua ta fitojmë`
Uran Krasniqi / RTKLive
Klubi i futbollit Ferizaj ka reaguar pas humbjes në finalen e Kupës së Kosovës ndaj Dukagjinit, duke shprehur pakënaqësi të madhe ndaj referimit dhe duke vënë në pikëpyetje disa vendime të arbitrit kryesor, Genc Nuza.
Dukagjini e ka fituar për herë të parë Kupën e Kosovës në futboll të enjten pasi në finalen dramatike të zhvilluar në stadiumin "Fadil Vokrri"në Prishtinë e ka mposhtur Ferizajn me rezultat 2:1.
Finalja është karakterizuar nga tensione të mëdha në minutat e fundit, kur ndeshja është ndërprerë përkohësisht pas largimit të skuadrës së Ferizajt nga fusha.
Gjithçka ka ndodhur në minutën e tretë të kohës shtesë, kur futbollistët e Ferizajt kanë kërkuar penallti për prekje të pretenduar me dorë në zonë nga mbrojtësi Albion Pllana.
Megjithatë, gjyqtari Genc Nuza nuk ka akorduar penallti, duke shkaktuar protesta të shumta nga futbollistët dhe stafi i Ferizajt.
Pas reagimeve të ashpra, kapiteni Betim Haxhimusa është ndëshkuar me karton të kuq, ndërsa trajneri Arsim Abazi ka vendosur ta tërheqë skuadrën nga fusha. Futbollistët e Ferizajt i janë drejtuar përkohësisht në zhveshtore, ndërsa ndeshja ka mbetur e ndërprerë për disa minuta.
Më pas, lojtarët e Ferizajt janë rikthyer në fushë dhe takimi ka vazhduar deri në fund. Skuadra ferizajase nuk ka arritur ta barazojë rezultatin, ndërsa gjyqtari Nuza e ka mbyllur ndeshjen me rezultatin 2:1 në favor të Dukagjinit.
Në një reagim publik të premtën, klubi ferizajas ka bërë të ditur se për finalen ishte përgatitur maksimalisht në çdo aspekt, duke e konsideruar atë si një mundësi historike për qytetin.
Sipas klubit, ndeshja ishte planifikuar me seriozitet të plotë, pas një pune të madhe, sakrifice dhe besimi se përmes futbollit mund t’i sillnin Ferizajt një moment të veçantë.
"Edhe pse skuadra jonë u angazhua maksimalisht, luftoi deri në fund dhe luajti futboll, ne ndjejmë se nuk na u lejua ta fitojmë këtë finale historike për qytetin tonë për shkak të vendimeve të referit kryesor të ndeshjes, Genc Nuza. Dy penalti të pastra, sipas bindjes sonë, nuk u akorduan në favor të FC Ferizajt. Rasti i parë ndodhi në pjesën e parë, kur portieri kundërshtar ndërhyri ndaj kapitenit tonë Betim Haxhimusa. Rasti u kontrollua edhe nga VAR, por kjo nuk e bindi referin të ndryshojë vendimin. Madje, sipas asaj që iu komunikua kryetrajnerit tonë Arsim Abazi, u tha se: “VAR po më thotë që është penallti, mirëpo për mua nuk është penallti, por faull në portierin”. Rasti i dytë ndodhi në fund të ndeshjes, kur kundërshtari e ndali topin me dorë dhe, sipas bindjes sonë, ia pamundësoi lojtarit tonë realizimin e golit. Edhe në këtë rast pati ndërhyrje nga VAR dhe referi kryesor u ftua për rishikim të situatës, mirëpo vendimi mbeti i pandryshuar pa u bërë rishikim nga ana e tij. As ky moment nuk u konsiderua për penallti. Ky vendim solli reagimin e skuadrës sonë në mënyrën që të gjithë e panë, sepse ishte e pamundur të pajtoheshim me atë që po ndodhte në fushë", ka shkruar Ferizaj. "Po ashtu, mbetet e pakuptueshme menaxhimi i kohës shtesë". Sipas klubit nga Ferizaji, në pjesën e parë pati tetë minuta shtesë, ndërsa në pjesën e dytë vetëm katër minuta, edhe pse pati ndërprerje të shumta për kontrollime nga VAR dhe gjithsej tetë ndërrime të lojtarëve. "Për një finale të këtij niveli, këto vendime lënë shumë pikëpyetje. Zhgënjimi i klubit, stafit dhe i lojtarëve tanë nga ajo që e konsiderojmë padrejtësi në referim ishte aq i madh, sa nuk gjetëm motiv për t’i pranuar medaljet e argjendta. Ne konsiderojmë se shqetësimet tona nuk lidhen vetëm me ndeshjen e mbrëmshme", ka shkruar Ferizaj. "Gjatë gjithë kampionatit kemi ngritur zërin për referimin në shumë raste, por fatkeqësisht nuk kemi marrë përgjigjet dhe reflektimin që kemi pritur. Ne do të riorganizohemi, do të punojmë edhe më shumë dhe do të rikthehemi përsëri, sepse nuk ka forcë që mund ta ndalë një klub që ka pas vetes tifozët dhe krenarinë e tij".























