Televizioni japonez NHK pasqyron vizitën e ekipit të RTK-së në Japoni
BKT
Lajme

Televizioni japonez NHK pasqyron vizitën e ekipit të RTK-së në Japoni

B.H./RTKlive

Një ekip i Radiotelevizionit të Kosovës ka realizuar vizitë studimore në Japoni, ku është pritur në stacionin rajonal të transmetuesit publik japonez, NHK, në Kochi. Për vizitën e ekipit të RTK-së, televizioni japonez ka realizuar një kronikë mbi aktivitetet dhe trajnimin e zhvilluar.

Trajnimi është organizuar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), në kuadër të mbështetjes që i ofrohet RTK-së përmes programeve të Ndihmës Zyrtare për Zhvillim (ODA), me fokus në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimin e përmbajtjeve televizive.

Në kuadër të vizitës, nëntë zyrtarë dhe anëtarë të lartë të stafit të RTK-së patën mundësi të njihen nga afër me funksionimin e redaksive dhe studiot e NHK Kochi, si dhe me sistemet e transmetimit dhe teknologjinë e përdorur në raportimin e ngjarjeve emergjente, siç janë fatkeqësitë.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u informuan mbi qasjen e NHK-së në raportimin e fatkeqësive natyrore, me theks të veçantë në përgatitjet institucionale për situata emergjente si tërmetet. Ata gjithashtu ndoqën nga afër ushtrimet e rregullta të sigurisë dhe reagimit në raste katastrofash, të cilat realizohen në mënyrë periodike nga stafi i transmetuesit japonez.

Në kronikën e NHK-së theksohet se ekipi i RTK-së shprehu interes të veçantë për mënyrën e organizimit të raportimit në situata krize, duke e vlerësuar këtë përvojë si të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e gazetarisë televizive.

“Vizita përfshiu gjithashtu prezantime dhe diskutime mbi rolin e transmetuesit publik në shoqëri, veçanërisht në kontekstin e Kosovës, e cila pas luftës së fundviteve ’90 dhe shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, funksionon si një shoqëri multietnike, ku RTK transmeton në disa gjuhë, me synim promovimin e dialogut dhe bashkëjetesës”, thuhet në kronikën e NHK-së.

"Për mua dhe kolegët e mi që vijmë nga Kosova, ishte shumë e rëndësishme të shihnim se si funksionon një stacion televiziv, si ky këtu në Kochi. Gjëja më interesante për ne është pikërisht mënyra se si përgatiteni për të raportuar gjatë katastrofave natyrore”, tha drejtoresha e RTK2, Aleksandra Jovanoviq, e cila ishte pjesë e ekipit të RTK-së që vizitoi Japoninë.


MË SHUME NGA Lajme