Ekspertët: Presioni i Vuçiqit ndaj serbëve në Kosovë, manipulim dhe presion
Visar Shatrolli / RTK
Vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë më 7 qershor, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka vazhduar mbështetjen për Listës Serbe, duke deklaruar se do ta përkrahë maksimalisht këtë subjekt politik.
Në këtë kontekst, profesorë të sigurisë dhe gjeopolitikës vlerësojnë se ndikimi serb vazhdon të ushtrohet përmes presionit dhe mekanizmave politikë.
Sipas tyre, në diskursin propagandistik rreth situatës në Kosovë, janë përfshirë edhe media propagandistike ruse.
Sipas Dorajet Imerit, deklaratat dhe veprimet e Vuçiqit nuk përbëjnë vetëm ndërhyrje politike, por edhe forma të manipulimit dhe presionit ndaj serbëve të Kosovës.
" Nuk janë vetëm manipulim, janë kërcenim blerje dhe natyrisht se dëshmitë po dalin se ai është i gatshëm të përdor çdo mekanizëm në këtë rast edhe shtetëror për të manipuluar kërcënuar dhe shantazhuar serbet e Kosovës për të ruajtur ndikim e tij nëpër procese nëpër të cilat po kalon vendin i ynë..", ka thënë Imeri.
Edhe profesori i sigurisë, Fatmir Çollaku tha se ekzistojnë të paktën dy skenarë nga ana e Vuçiqit, ku qëllimi është që Lista Serbe të sigurojë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës dhe të artikulojë politikën e Beogradit brenda institucioneve të vendit.
"Kjo strukturë politike në Serbi që shumë vjet është duke u udhëhequr, janë jashtëzakonisht të interesuar për destabilizimin e Kosovës, fuqizimin në skajshmëri të komunitetit serb dhe duke e viktimizuar apo paraqitur vazhdimisht të viktimizuar etninë serbe në veri në Kosovë, në veriun e Kosovës dhe më gjerë. Gjë që s'janë fare të vërteta këto, por kjo është një luftë edhe politike, edhe psikologjike “, ka thënë Çollaku.
Në këtë kontekst, edhe media shtetërore Russia Today ka vazhduar propagandën e saj në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë. Ajo ka publikuar një artikull propagandistik kundër kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e paraqitur zbatimin e ligjit në Kosovë si fushatë arrestimesh ndaj serbëve.
Ky medium citon propagandën ruse në shkrimin e Russia Today, ku brenda artikullit cek se kinse për shkak të flamujve serbë, këngëve nacionaliste dhe krimeve të luftës, Kurti për pesë vjet arrestoi mbi 150 serbë në Kosovë.























