Analistët në RTK Prime: Kosovës i duhen kompromis politik dhe institucione
Shqipe Gashi & Valbona Thaçi / RTKlive
Të ftuarit në RTK Prime vlerësuan deklaratat e ambasadorit britanik Jonathan Hargreaves si thirrje për kompromis politik, bashkëpunim ndërmjet partive dhe krijim të institucioneve stabile pas zgjedhjeve. Ata theksuan nevojën për pjekuri politike, shmangie të gjuhës së urrejtjes dhe ruajtje të stabilitetit institucional.
Mes tjerash, analistët vlerësuan rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës.
Zeneli: Deklarata e ambasadorit britanik, këshillë miqësore ndaj Kosovës
Publicisti Alban Zeneli e cilësoi deklaratën e ambasadorit britanik si një këshillë miqësore ndaj Kosovës dhe një vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve politike në vend. Ai tha se i ka bërë përshtypje mënyra se si Hargreaves ka ngritur shqetësimin për gjuhën e urrejtjes, veçanërisht ndaj grave në politikë.
“Për mua është, siç e thashë edhe një herë, është një këshillë e një miku, i cili dëshiron me parë Kosovën si partner të mirë. Më bëri jashtëzakonisht shumë përshtypje edhe mënyra se si ambasadori ka vërejtur nivelet e gjuhës së urrejtjes, specifikisht që kanë, po thonë, baza gjinore ose ndaj grave që marrin pjesë në sferën publike, jo veç politikanëve, politikaneve gra, por specifikisht ndaj politikaneve gra, duke pasur parasysh që këto konotacione gjinore mund të ndikojnë që gratë të tërhiqen dhe të mos jenë aktivisht në politikë”, tha Zeneli.
Gojnovci: Zgjedhjet e njëpasnjëshme rrezik për stabilitetin e vendit
Analisti Ejup Gojnovci vlerësoi se vendi po përballet me rrezikun e përsëritjes së zgjedhjeve, gjë që sipas tij do të kishte kosto të lartë për stabilitetin politik dhe shoqëror.
“Është e natyrshme për shkak se ne po futemi në një situatë kur rrezikojmë sërish zgjedhje pas zgjedhjeve dhe kjo do të kishte kosto të jashtëzakonshme për stabilitetin në përgjithësi politik në vend, dhe jo vetëm politik. Dhe njerëzit si puna e ambasadorit Hargreaves na drejtohen me qëllimin më pozitiv dhe më dashamirës të mundshëm, sepse Mbretëria e Bashkuar është një mik i pakontestueshëm i Republikës së Kosovës, jo vetëm me atë çfarë ka dhënë, por vazhdon të jetë inkurajuese e jashtëzakonshme e zhvillimeve të përgjithshme”, tha Gojnovci.
Ai shtoi se mesazhet e ambasadorit britanik duhet të shihen si thirrje për reflektim politik dhe maturi në deklarimet publike.
“Dhe unë mendoj që zoti Hargreaves ka bërë mirë që megjithatë ka trokitur në ndërgjegjen politike nëpërmjet kësaj interviste, por edhe në takimin që kishte me ushtruesen e detyrës së presidentes, kryeparlamentaren në detyrë, zonjën Haxhiu. Mendoj se është situatë e cila duhet të shfrytëzohet me mirëkuptimin më të lartë të mundshëm nga secili prej aktorëve politikë, i cili e ka në dorë të shkruajë një status në rrjetet sociale ose e ka një fjalë publike për ta thënë, le ta ketë të matur gjuhën e tij, sepse ajo po prodhon pastaj konsekuenca afatgjata”, tha ai.
Hajdari: Kosovës i duhen pjekuri politike dhe institucione stabile
Analistja Fatime Hajdari ka vlerësuar se mesazhet e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, janë të drejtpërdrejta dhe në linjë me situatën politike në vend.
“Po konsideroj që Hargreaves është një nga ambasadorët që gjithmonë ka gjuhë të kujdesshme dhe diplomatike. Por në këtë intervistë, siç shihet, ka zgjedhur të jetë më i drejtpërdrejtë në mesazhet që ai përcjell. Dhe është gjëja më e duhur në situatën ku jemi, marrë parasysh polarizimet dhe fillimin e ashpërsimit të gjuhës nga kampet e ndryshme politike”, tha ajo.
Hajdari theksoi se ka ardhur momenti që klasa politike në Kosovë të tregojë pjekuri dhe gatishmëri për bashkëpunim. Sipas saj, mungesa e bashkëpunimit mund ta çojë vendin në bllokada të përsëritura institucionale.
“Pa diskutim që ka ardhur koha të tregojmë pjekuri politike. Madje konsideroj që është dashur edhe më herët të tregojmë pjekuri politike dhe vullnet për bashkëpunim. Sepse megjithatë, këta janë aktorët politikë, dhe përtej kësaj kombinimeve të mundshme mes subjekteve politike nuk kemi ku të shkojmë, sepse në të kundërtën do të shkojmë nga bllokada në bllokada, nga ngërçi në ngërç”, deklaroi Hajdari.
Ajo shtoi se pret që pas procesit zgjedhor partitë politike të tregojnë më shumë sinqeritet dhe gatishmëri për marrëveshje. Hajdari theksoi gjithashtu nevojën për stabilitet institucional afatgjatë.
“Shpresoj që pas këtij procesi zgjedhor të ulen, të diskutojnë, të jenë më të sinqertë në bashkëpunimet që ofrojnë secili prej tyre. Pa diskutim, t’i jepet fund një herë e mirë proceseve zgjedhore, por të kemi institucione stabile për katër vitet e ardhshme”, përfundoi ajo.
Sadik Zeqiri: Pas zgjedhjeve duhet kompromis për krijimin e institucioneve dhe stabilitet politik
Analisti Sadik Zeqiri ka vlerësuar mesazhet e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, si thirrje të rëndësishme për reflektim politik dhe kompromis pas zgjedhjeve, me qëllim krijimin e institucioneve stabile në vend. Duke komentuar deklaratat e ambasadorit britanik në RTK Prime, Zeqiri tha se kërkesa për bashkëpunim ndërmjet partive politike është e domosdoshme për të tejkaluar krizën politike.
“Është mirë që ambasadori anglez më në fund kërkoi nga subjektet politike, kërkoi nga liderët politikë që pas zgjedhjeve të reflektojnë dhe të bëjnë kompromis për të krijuar institucionet e vendit”, deklaroi Zeqiri.
Ai tha se kompromisi ka qenë pjesë e zhvillimit shtetëror të Kosovës dhe duhet të mbetet rruga përpara.
“Ai e tha dhe një fjalë që ‘Kosova ka lindur dhe është zhvilluar me kompromise’. Prandaj duhet të ndiqet ajo rrugë”, u shpreh ai.
Sipas Zeqirit, proceset zgjedhore nuk duhet të prodhojnë vetëm një fitues politik, por bashkëpunim më të gjerë institucional. Ai vlerësoi se qëndrimet e ambasadorit britanik janë në përputhje me kërkesat e vazhdueshme për kompromis politik.
“Pas zgjedhjeve nuk ka vetëm një fitues, duhet të ketë më shumë fitues sepse duhet të ketë një bashkëpunim për të krijuar dhe për të ecur përpara shteti, për të krijuar institucione. Ambasadori, ose ne me ambasadorin jemi në një linjë sa i përket kompromisit mes subjekteve politike”, deklaroi Zeqiri.
Analisti po ashtu tha se përfshirja dhe mbështetja e shteteve aleate është e rëndësishme në rrethanat aktuale politike. Sipas Zeqirit, Kosova ka nevojë për ndihmë dhe këshilla nga partnerët ndërkombëtarë për të dalë nga kriza politike.
“Miqtë ndërhyjnë në atë kohë kur ne kemi nevojë për ta, dhe miqtë e kanë parë që ne pa ndihmën e tyre nuk po mund t’i zgjidhim problemet tona”.“Duhet patjetër që të implikohen në situatën tonë, që të na japin ndihmë, këshilla dhe të dalim ne nga kjo krizë që çdo palë zgjedhje po shkojmë duke e thelluar krizën edhe më shumë”, tha ai.
Mes tjerash, Zeqiri tha se mesazhet e ambasadorit britanik duhet të shërbejnë si thirrje për kompromis dhe stabilitet pas zgjedhjeve.
“Ne të bëjmë kompromise pas zgjedhjeve dhe të mos kemi një fitues, të kemi shumë fitues dhe të mos shkojmë më prej zgjedhjeve në zgjedhje”, përfundoi ai.























