Kurti takon kongresistët amerikanë, temë siguria dhe zhvillimi ekonomik
N.M. /RTKlive
(E plotësuar) Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim delegacionin bipartizan të kongresistëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam.
Gjatë takimit, Kurti theksoi rëndësinë e paqes dhe sigurisë në rajon, duke e konsideruar mbrojtjen si një nga prioritetet kryesore të Kosovës.
Ai falënderoi delegacionin për përkrahjen ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO, në veçanti për Rezolutat 1246 dhe 1250 të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilat mbështesin aspiratat e vendit për t’u bërë pjesë e Aleancës dhe kërkojnë vazhdimin e kontributit amerikan në kuadër të KFOR-it, njofton zyra per media e Kryeministrit.
Kryeministri në detyrë vuri theksin edhe te përputhshmëria e politikës së jashtme të Kosovës me atë të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa diskutoi edhe për investimet në mbrojtje, zhvillimin e teknologjisë, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe reformat në arsim.
Në kontekstin rajonal, duke përmendur vizitën e kongresistëve në Luginën e Preshevës, Kurti theksoi se është e nevojshme që pakicat në Ballkanin Perëndimor të kenë të drejta të krahasueshme në të gjitha shtetet.



Kurti sot zhvillon takim me kongresistë amerikanë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të presë sot në takim dy kongresistë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Keith Self dhe Suhas Subramanyam.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, takimi do të mbahet më 27 maj 2026, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, duke filluar nga ora 11:50.
Delegacioni i kongresistëve amerikanë, i udhëhequr nga republikani Keith Self, ka mbërritur të martën në Kosovë, ku fillimisht është pritur nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati në kampin Bondsteel.
Siç është njoftuar, delegacioni do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe me autoritetet amerikane dhe ndërkombëtare të sigurisë. Po ashtu, janë paralajmëruar takime edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.
Ndryshe, delegacioni i kongresistëve amerikanë, që vizitoi Luginën e Preshevës të martën, theksoi rëndësinë e stabilitetit dhe të prosperitetit në trajtimin e çështjeve mes shqiptarëve dhe serbëve.
Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve u takuan me zyrtarë të ndryshëm, përfshirë deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, për të marrë informacione dhe mendime të drejtpërdrejta nga terreni.























