Haxhiu pret kongresistët amerikanë: Miqësia me SHBA-të, jetike për Kosovën
N.M. /RTKlive
(E plotësuar) Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim kongresistin republikan Keith Self dhe kongresistin demokrat Suhas Subramanyam, pjesë e delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit, Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e saj historike dhe politike.
“Për Kosovën, miqësia me Shtetet e Bashkuara është edhe institucionale por edhe personale. Populli ynë e mban mend kush qëndroi pranë nesh në momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne”, theksoi ajo.
Ajo falënderoi kongresistin Self për mbështetjen ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe për vëmendjen ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke nënvizuar se ky integrim është i rëndësishëm për sigurinë afatgjatë dhe paqen rajonale.
Po ashtu, Haxhiu vlerësoi edhe praninë e kongresistit Subramanyam, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fusha si teknologjia, siguria kibernetike, arsimi dhe inovacioni.
Në takim u theksua se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me SHBA-të në fusha kyçe si siguria, mbrojtja, ekonomia dhe integrimi euroatlantik, duke synuar forcimin e rolit të saj si partnere e besueshme në skenën ndërkombëtare.


Haxhiu priti në takim kongresistët amerikanë
Edona Podvorica /RTK
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë në kuadër të një turi rajonal.
Delegacioni amerikan një ditë më parë ka vizituar edhe Luginën e Preshevës, ku është njohur nga afër me pozitën e shqiptarëve dhe zhvillimet politike në atë zonë.
Ndërkohë, në një vizitë të ndarë, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të presë po sot në Qeveri të njëjtin delegacion amerikan në orën 11:50, sipas njoftimit zyrtar.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, kongresistët amerikanë pritet të zhvillojnë takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë.
Vizita e tyre vjen si pjesë e një turi rajonal, me fokus në stabilitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike në Ballkan, përfshirë dialogun dhe bashkëpunimin Kosovë-Serbi.























