Analistët e RTK-së presin një finale të fortë mes Palace dhe Vallecanos
BKT
Sport

Analistët e RTK-së presin një finale të fortë mes Palace dhe Vallecanos

F.Bytyqi/RTKLive

Ka mbetur më pak se një orë deri në fillimin e finales së Conference League mes Crystal Palace dhe Rayo Vallecano, sfidë që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Dy skuadrat do të përballen në Leipzig, në një duel që pritet të sjellë emocione të mëdha, pasi të dy klubet synojnë trofeun e parë evropian në histori.

Për klubin anglez, kjo është finalja e parë evropiane, pas një sezoni shumë të mirë, ndërsa në anën tjetër Rayo Vallecano po përjeton një nga momentet më të rëndësishme në historinë e klubit spanjoll.

Analistët e RTK-së, Rafet Prekazi dhe Muhamet Dragusha, vlerësojnë se finalja pritet të jetë një duel shumë interesant dhe i luftuar.

“Janë dy skuadra që nuk kanë fituar kupa ndërkombëtare, por dy skuadra që e kanë merituar finalen, dy skuadra që vijnë nga paralagjet e dy qyteteve të mëdha. Mendoj se mesfusha do të jetë lufta kryesore e të dy skuadrave. Sigurisht se do të jetë një ndeshje e fortë, sepse të dy ekipet duan trofeun e kësaj ligë dhe që do të siguronin pjesëmarrjen në garat evropiane edhe për sezonin e ardhshëm”, ka thënë Prekazi.

Edhe Muhamet Dragusha beson se finalja do të ofrojë një përballje të bukur futbolistike.

“Është një ndeshje shumë interesante, asnjëherë këto dy skuadra nuk kanë qenë në finale, në një ligë që është e treta për nga rëndësia në Evropë”, theksoi Dragusha.

“Shihet se Crystal Palace e ka mbyll sezonin në vendin e 15-të, kurse, Vallecano në vendin e tetë, pra ky është niveli i kësaj ligë evropiane. Palace për mendimin tim e kanë një përparësi në duel me Vallecanon. Kjo do të jetë një ndeshje taktike. Të dy skuadra synojnë fitore e që do të siguronin pjesëmarrjen në Evropë. Mendoj se do të jetë një lojë e bukur dhe gjithsesi një ndeshje interesante”, ka deklaruar Dragusha.

Finalja mes Crystal Palace dhe Rayo Vallecanos nis në orën 21:00.