Supremja: Vazhdon paraburgimi për grupin e dyshuar për krim të organizuar
RTKlive
Gjykata Supreme e Kosovës njofton se ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin penal ndaj një grupi të të pandehurve të dyshuar për krim të organizuar, trafikim të lëndëve narkotike dhe shpërlarje të parave.
Kërkesa ishte paraqitur nga mbrojtësi i njërit prej të pandehurve, ndërsa Supremja ka vlerësuar se nuk janë paraqitur prova që e cenojnë vendimmarrjen e gjykatave më të ulëta.
Sipas vendimit, nga provat e administruara ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, ndërsa shqyrtimi i plotë i fakteve do të bëhet në fazat e mëtejshme të procesit gjyqësor.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekzistojnë kushte ligjore për vazhdimin e paraburgimit, duke përfshirë rrezikun e ikjes, ndikimit mbi dëshmitarët dhe bashkëpandehurit, si dhe mundësinë e përsëritjes së veprës penale.
Në arsyetimin e saj, Supremja ka marrë parasysh edhe provat e siguruara përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, përfshirë komunikime të transkriptuara dhe lëvizje të të dyshuarve, të cilat sipas gjykatës forcojnë dyshimet për veprimtari kriminale të organizuar.
Gjykata thekson se masat më të buta nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve dhe zhvillimin normal të procedurës penale.























