Fëmijët trajnohen për emergjenca|Video
Donika Sherifi/ RTK
Aftësimi i të rinjve për reagim në situata emergjente është në fokus të një kampi edukativ që po mbahet në Berim të Zubin Potokut. Nxënësit po zhvillojnë njohuri teorike dhe praktike për kërkim-shpëtim, ndihmë të parë, orientim në terren dhe mbijetesë në natyrë, me mbështetjen e institucioneve të sigurisë dhe emergjencave.
Rreth 100 filloristë të shkollave të Mitrovicës, Shtimes dhe Fushë Kosovës po trajnohen për kërkim-shpëtim dhe mbijetesë në Qendrën e kërkim-shpëtimit në Berim të Zubin Potokut.
Në këtë trajtim të organizuar nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, fëmijët po mbajnë ligjërata teorike dhe ushtrime praktike për reagim në situata emergjente, kërkim-shpëtim dhe mbijetesë në natyrë.
"Në kampingun e parë, të organizuar nga institucionet tona në bashkëpunim me shoqatat dhe partnerët e tyre, do të fitoni njohuri dhe aftësi të vlefshme praktike, siç janë reagimi ndaj zjarreve duke përdorur pajisjet përkatëse, e deri te dhënia e ndihmës së parë", tha Albin Kurti, kryeministër në detyrë.
"Në javët në vijim do të jenë nxënës nga komunat e tjera, derisa ne të arrijmë te secili nxënës i Republikës së Kosovës, me qëllim që të zhvillojnë aftësitë e tyre për kërkim-shpëtim, orientim në hapësirë, not dhe aktivitete të tjera", theksoi Xhelal Sveçla, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme.
Pos nxënësve dhe stafit përcjellës, trajnimi po mbështetet edhe nga strukturat e sigurisë, stafi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Veri, kryetarët e komunave pjesëmarrëse, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, grupi i zhytjes "Trepça", si dhe njësitë profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit nga komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë, Prishtinës dhe Prizrenit.
Ky aktivitet ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së të rinjve për reagim në raste urgjente, forcimin e kulturës së sigurisë dhe njohja e tyre me procedurat bazë të kërkim-shpëtimit dhe mbijetesës në terren.























