Costa në Prishtinë: BE-ja riafirmon mbështetjen për Kosovën
RTKLive
(E plotësuar) Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka theksuar se ndoshet në Prishtinë për të riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa në "X" ka shkruar se është takuar me presidenten në detyrë Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe me liderët e partive opozitare.
Në deklaratën e tij, Costa ka theksuar se, në prag të zgjedhjeve të kësaj fundjave, partneriteti me BE-në nënkupton edhe përgjegjësi nga ana e institucioneve dhe aktorëve politikë në Kosovë.
Ai ka inkurajuar liderët politikë që integrimin në Bashkimin Evropian ta vendosin si prioritet mbi ndarjet politike dhe të bashkëpunojnë drejt këtij qëllimi të përbashkët.
Costa gjithashtu ka theksuar nevojën për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale në Kosovë, të afta për të zbatuar reforma, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron BE-ja dhe për të përmbushur zotimet në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.
"Sot jam në Prishtinë për të riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën. U takova me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ushtruesin e detyrës së kryeministrit Albin Kurti dhe me liderët e partive opozitare. Ndërsa Kosova shkon drejt zgjedhjeve këtë fundjavë, mesazhi im është i thjeshtë: partneriteti ynë vjen me përgjegjësi. I kam inkurajuar liderët politikë që ta vendosin integrimin në BE si prioritet, përtej ndarjeve politike, dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët. Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reforma, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian dhe për të përmbushur të gjitha zotimet në kuadër të dialogut", ka shkruar ai.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, nis vizitën në Kosovë
Presidenti i Këshilli Evropian, Antonio Costa, ka nisur sot vizitën e tij zyrtare në Kosovë, në kuadër të turneut që po zhvillon në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Costa fillimisht është takuar me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu. Më pas, ai pritet të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Vizita e presidentit të Këshillit Evropian vjen në një periudhë të rëndësishme për rajonin, teksa vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë përpjekjet për avancimin e procesit të integrimit evropian dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian.
Pas vizitës në Kosovë, Costa do të marrë pjesë më 5 qershor në Samiti BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat. Tema qendrore e samitit do të jetë “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”.
Në këtë takim do të marrin pjesë liderë të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të rajonit, të cilët do të diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të sigurisë, si dhe për hapat e mëtejmë në procesin e integrimit evropian.
Vizita e Costës në Kosovë konsiderohet si një sinjal i rëndësishëm i angazhimit të shtuar të Brukselit ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur stabiliteti dhe perspektiva evropiane e rajonit mbeten prioritete kyçe për Bashkimin Evropian.























