Gara ndërkombëtare e çiklizmit, mbyllen përkohësisht disa korsi
M.Sh/RTKLive
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se më 5, 6 dhe 7 qershor do të zhvillohet Gara Ndërkombëtare e Çiklizmit, e organizuar nga Federata e Çiklizmit e Kosovës, në disa segmente rrugore të vendit, përfshirë autoudhët “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”.
Për shkak të zhvillimit të garës, në segmentet e parapara do të ketë mbyllje të përkohshme të një korsie të qarkullimit, sipas itinerarit të përcaktuar nga organizatorët dhe autoritetet përgjegjëse.
Sipas njoftimit, më 5 qershor (e premte), duke filluar nga ora 13:00, do të mbyllet njëra korsi në autostradën “Arbën Xhaferi”. Gara do të nisë nga Sheshi “Metush Krasniqi” në Kamenicë, do të zhvillohet në drejtim të Prishtinës dhe do të përfundojë me kthimin në kilometrin e 28-të të autostradës.
Ndërkaq, më 6 qershor (e shtunë), janë paraparë disa etapa të garës. Nga ora 09:00 do të mbyllet njëra korsi në aksin Ferizaj (Bibaj) – Lipjan – Hani i Elezit, në gjatësi prej 73 kilometrash. Në ora 11:30 mbyllja do të aplikohet në segmentin Ferizaj – Hani i Elezit, me gjatësi 32 kilometra.
Po ashtu, nga ora 13:00 do të mbyllet njëra korsi në itinerarin Ferizaj – Prishtinë – Hani i Elezit, në gjatësi prej 95 kilometrash, ndërsa nga ora 16:00 në aksin Ferizaj – Lipjan – Hani i Elezit, me gjatësi 80 kilometra.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik që të planifikojnë lëvizjet e tyre me kohë dhe të respektojnë sinjalizimin rrugor, si dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës dhe organizatorëve gjatë kohës së zhvillimit të garës.























