Lirohet kryetari i Mitrovicës së Veriut, kundërvajtje për vandalizëm
BKT
Lajme

Lirohet kryetari i Mitrovicës së Veriut, kundërvajtje për vandalizëm

Valbona Thaçi / RTKLive

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, dhe kryetari i Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut, Ivan Zaporozhac, janë liruar nga Policia e Kosovës, ndërsa ndaj tyre është iniciuar procedurë kundërvajtëse. Kështu njofton Policia e Kosovës në një raport të lëshuar pak më parë.

Sipas Policisë së Kosovës, incidenti ndodhi pasi zyrtarët policorë kishin njoftuar përfaqësuesit komunalë se vendimi për largimin e mbishkrimit “I Love Mitrovica” duhej të shtyhej deri në pranimin e vendimit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Policia bëri të ditur se, pavarësisht kërkesave dhe urdhrave të zyrtarëve policorë për të mos dëmtuar apo ngjyrosur objektin publik, dy persona filluan ngjyrosjen e tij, duke bërë të nevojshëm intervenimin e policisë.

“Të njëjtëve iu është shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm. Me urdhër të prokurorit kompetent janë liruar, për të vazhduar me procedurat e mëtejme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Kujtojmë se në orët e paradites, Policia e Kosovës e ka shoqëruar në stacionin policor kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, dhe kryetarin e Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut, Ivan Zaporozhac, nën dyshimin për prishje të rendit publik.

Sipas policisë, ata janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, pasi tentuan ta vandalizonin tabelën “E dua Mitrovicën” dhe ta hiqnin atë me forcë.


MË SHUME NGA Lajme