Oferta dhe zotimet e Vetëvendosjes për zgjedhjet e 7 qershorit|VIDEO
V.Thaçi &A.Bela| RTKLive
(E plotësuar, ora 23:37) Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpalosur në RTK programin dhe ofertën e tij për zgjedhjet e 7 qershorit. Gjatë intervistës, ai ka prezantuar zotimet dhe prioritetet kryesore të qeverisjes së ardhshme, duke u ndalur te siguria, ushtria, shëndetësia, arsimi, ekonomia, investimet, energjia, infrastruktura dhe zhvillimi i vendit.
Kurti thotë se do të punoj në mbështjetje ndaj RTK-së
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se beson në RTK dhe në ndërmarrjet publike, dhe se do të përpiqet të zgjidhen problemet që ka RTK.
Presidenti i Kosovës duhet të jetë figurë unifikuese jashtë skenës politike
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se presidenti i Kosovës duhet të jetë figurë unifikuese jashtë skenës politike. Ai shtoi se nëse shkohet me një figurë politike, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, sipas tij, ka mbështetje dhe unitet popullor.
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjidhja e çështjes së presidentit të vendit duhet të bëhet përmes një figure unifikuese dhe përmes bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike.
Ai tha se procesi i formimit të institucioneve duhet të respektojë rezultatet zgjedhore dhe hapat kushtetues.
"Së pari duhet të presim rezultatin e zgjedhjeve, pastaj duhet ta zgjedhim kryesinë e Kuvendit", deklaroi Kurti në një intervistë për RTK.
Kurti theksoi se pas konstituimit të Kuvendit nuk do të ketë pengesa për formimin e institucioneve të reja.
"Nuk besoj që do të jetë kurrfarë problemi që Lëvizja Vetëvendosje të ketë shumë më lart se 61 deputetë për mazhorancë", tha ai.
Duke folur për çështjen e presidentit, Kurti përsëriti qëndrimin se kreu i shtetit duhet të jetë figurë mbi palët politike. "Presidenti duhet të jetë një figurë unifikuese, jashtë skenës politike dhe polemikave ditore", u shpreh ai.
Ai shtoi se ka pasur përpjekje për të gjetur kandidatë konsensualë dhe jashtë politikës aktive. "Ne kërkuam vazhdimisht prej opozitës figura jashtë skenës aktuale politike… sepse ashtu duhet të jetë presidenti", tha Kurti. Sipas tij, janë bërë disa propozime dhe tentativa për marrëveshje ndërpartiake, por ato nuk janë pranuar.
Kurti përmendi edhe disa emra si pjesë e diskutimeve për kandidatë potencialë, duke theksuar se synimi ka qenë gjetja e një figure të pranueshme për të gjitha palët. "Presidenti nuk është palë pushteti… është shprehje e unifikimit, e unitetit të popullit", deklaroi ai.
Ai shtoi se në mungesë të konsensusit, kandidati i Vetëvendosjes do të përfaqësonte, sipas tij, shumicën parlamentare dhe elektorale. "Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje do të jetë shprehje më e lartë edhe e madhe e unitetit popullor", u shpreh Kurti.
Kurti: Askush nuk i ka pasur 80 vota për t’u zgjedhur president i Kosovës
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke e vlerësuar se ka përfaqësuar mirë Kosovën. Sipas tij, bashkëpunimi në dy vitet e para ka qenë më i mirë se në tre vitet e fundit të mandatit të saj. Ai gjithashtu tha se askush nuk i ka pasur 80 vota për t’u zgjedhur president i Kosovës.
Kurti: “Trepça” është krenari e Kosovës
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se ndërmarrja “Trepça” është krenari e Kosovës. Ai paralajmëroi se do të bëhet skanimi i gjendjes së pasurive të Kosovës, si dhe theksoi se do të shqyrtohen investimet në partneritet publiko-privat.
Kurti: Është e domosdoshme që të prodhojmë municion|LIVE
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se lufta në Ukrainë ka treguar se është e domosdoshme që Kosova të prodhojë municion dhe se për këtë vendi do të ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Ai vlerësoi lart edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke theksuar pjesëmarrjen e saj në trajnime dhe ushtrime në rajon, ku sipas tij ka treguar rezultate të mira.
Kurti: Xhandarmaria do të jetë formacion shtesë|LIVE
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se xhandarmaria që do të krijohet do të jetë formacion shtesë. Ai u ndal edhe te pensionimi i parakohshëm i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke theksuar se gjeneratat më të vjetra kanë përvojë të rëndësishme dhe njohje të gjuhëve sllave, prandaj, sipas tij, janë aset i vlefshëm për Policinë e Kosovës.
Kurti: Xhandarmëria, avancimi në grada dhe pensionimi i parakohshëm për policët në fokus të reformave në polici
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë mandatit të tij është rritur buxheti i Policisë së Kosovës dhe se në të ardhmen parashihet krijimi i një formacioni të ri të sigurisë, xhandarmërisë.
Ai tha se buxheti i policisë është rritur ndjeshëm gjatë mandatit aktual. "Policia e Kosovës e ka buxhetin e shtuar gjatë mandatit tonë për dy të tretat", deklaroi Kurti në një intervistë për RTK.
Kurti tha se në kuadër të reformave të sigurisë do të krijohet edhe një strukturë e re.
"Do t'ja bashkëngjisim një formacion të ri që është xhandarmëria", tha ai, duke sqaruar se ky formacion do të mbulojë detyra që, sipas tij, janë mes policisë dhe ushtrisë.
Ai përmendi ruajtjen e vijës kufitare, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe luftimin e kontrabandës si detyra të xhandarmërisë.
"Xhandarmëria do të jetë një formacion shtesë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme", u shpreh Kurti.
Duke folur për statusin e policëve, ai tha se do të mundësohet avancimi në grada për zyrtarët me përvojë.
"Ata që kanë qëndruar 10 vjet në sistem t'i marrin edhe nga dy grada njëkohësisht", tha Kurti. Ai përmendi gjithashtu mundësinë e pensionimit të parakohshëm për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
"Duke filluar prej moshës 63-vjeçare drejt moshës 55-vjeçare", deklaroi ai, duke shtuar se nuk e inkurajon përdorimin e këtij opsioni.
Kurti theksoi rëndësinë e përvojës së policëve më të vjetër në sistem, duke përmendur njohjen e gjuhëve dhe përvojën operative. "Pikërisht ata që janë mbi 55 vjeç… janë ata të cilët e dinë këtë gjuhë", tha ai, duke iu referuar gjuhëve të rajonit. Ai shtoi se policët me përvojë të gjatë janë një aset i rëndësishëm për sigurinë e vendit.
"Njëherë në Shërbimin Policor të Kosovës, mandej në Policinë e Kosovës, ai është një aset shumë i vlefshëm për mbrojtjen dhe sigurinë", u shpreh Kurti.
Ai tha se synohet forcimi i kapaciteteve të Policisë së Kosovës përmes pajisjeve dhe njësive të specializuara.
"Njësia e dronëve dhe antidronëve, e kemi policinë definitivisht më të mirë dhe më të aftë", deklaroi ai.
Kurti: Nuk kam prokuror të preferuar
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se nuk ka prokuror të preferuar për të qenë në krye të Prokurorisë së Shtetit.
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se do të ketë veting në prokurori dhe gjyqësor, si dhe digjitalizim të sistemit gjyqësor.
Kurti: Me ardhjen tonë në pushtet kemi ndalur korrupsionin|LIVE
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se me ardhjen e tyre në pushtet është ndalur korrupsioni dhe haraçi.
Kurti: Sistemi dual do të krijojë shumë rroga të mira në Kosovë
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se largimi i të rinjve është një kulturë shoqërore që duhet ndryshuar. Ai u shpreh optimist se sistemi dual i arsimit dhe punësimit do të krijojë shumë vende pune dhe rroga të mira në Kosovë. “Unë jam shumë optimist se sistemi dual do të krijojë shumë rroga të mira në Kosovë, p.sh. në Ferizaj një saldues paguhet 2500 euro në muaj”, tha ai.
Kurti: Ka rënie të kontrabandës dhe kriminalitetit
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se gjatë qeverisjes së tij është shënuar rënie e kontrabandës dhe kriminalitetit, duke theksuar se institucionet e rendit dhe sigurisë kanë arritur rezultate të rëndësishme në luftimin e aktiviteteve të paligjshme në vend.
Kurti: Mandati i Byrosë për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe i vetingut në prokurori edhe në gjyqësor
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti tha se përveç shtimit të kogjenerimit, dhe njëkohësisht shtimit të energjisë prej burimeve të të ripërtëritshme, do të jetë edhe mandati i Byrosë për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe i vetingut në prokurori edhe në gjyqësor.
“Dua që mandati i ardhshëm të mbahet mend edhe kur është kthyer në vendlindje numri më i madh i bashkatdhetarëve tanë. Pra kemi shumë projekte përpara vetes, përfshirë autostradën e Dukagjinit, përfundimin e asaj me Gjilanin, autostradën e re, Duhël, shtimi Banullë, pastaj gjithashtu edhe këto rrugë, të cilat janë duke u ndërtuar, do të përmbyllen”, tha Kurti.
Duke shtuar se gjatë mandatit ka shtruar mbi 800 km rrugë, prej të cilave rreth 900 km prej edhe shtesë 900 km janë me ndërtim e sipër.
“Shumica dërmuese e tyre afër përfundimit. E prej këtyre mbi 800 km në rrugë, për shembull, rreth 100 km janë në rajonin e Prizrenit, dhe rreth 100 km janë në veri të Kosovës. Infrastruktura për ne, përveç asfalt edhe energji edhe hekurudha, është edhe ujësjellës-kanalizim. Një ndër sfidat kryesore që do ta kemi në mandatin e ardhshëm janë shtrirja e rrjetit të ujësjellësit anë e mbanë Kosovës, por gjithashtu edhe impiantet për ujërat e zeza, për përpunimin e ujërat e zeza. Aty ku ka një fshat të madh ose disa fshatra të vegjël, do t'ua bëjmë një impiant të vogël. Deponitë ilegale të mbeturinave i mbyllim, dhe pastrimi i lumenjve do të jetë prioritet, në veçanti rregullimi i brigjeve dhe i shtretërve të lumenjve”, tha Kurti.
Banka Zhvillimore do të themelohet shumë shpejt
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se Banka Zhvillimore do të themelohet shumë shpejt, duke e cilësuar atë si një mekanizëm të rëndësishëm për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe financimin e projekteve strategjike në vend.
Kurti: Projektet infrastrukturore kanë pasur tre probleme kryesore, në mandatin e ri premtohen 1 miliard euro investime kapitale
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se vonesat në projektet infrastrukturore kanë ardhur si pasojë e mungesës së planifikimit, problemeve me shpronësimet dhe kapacitetit të ulët të disa operatorëve ekonomikë.
Kurti tha se projektet infrastrukturore shpesh janë nisur pa studime të mjaftueshme paraprake.
"Mungesa e përgatitjes dhe planifikimit për projektet infrastrukturore", tha ai, duke shtuar se "është problemi i parë që kemi pasur". Si çështje të dytë, ai përmendi shpronësimet. "Shpronësimet e kurdisura", deklaroi Kurti, duke shtuar se në disa raste, sipas tij, vendimet janë marrë në dakordime të fshehta lidhur me pronat.
Ndërsa problemin e tretë e lidhi me operatorët ekonomikë. "Disa operatorë ekonomikë, kur i kanë fituar tenderët për ndërtimin e rrugëve, nuk kanë pasur kapacitetin për t'i ndërtuar me dinamikën e punës", tha ai.
Kurti u shpreh optimist për realizimin e projekteve në mandatin e ardhshëm, duke përmendur edhe ulje të kostove në disa projekte infrastrukturore. Për autostradën në drejtim të Pejës, ai tha se kostoja është ulur ndjeshëm.
"Kjo rruga për Pejë ka qenë dashur të kushtojë 240 milionë euro, ne po e bëjmë gjithçka me 75 milionë euro", deklaroi Kurti, duke shtuar se kursimin me miliona euro".
Ai përmendi edhe uljen e kostove të mirëmbajtjes së rrugëve. "Mirëmbajtja e rrugëve përpara ka kushtuar 57 milionë euro… ne kemi përfunduar gjithçka me 38 milionë euro", tha ai, duke shtuar se "kostoja është zvogëluar për 1/3, e mirëmbajtja është rritur për 1/3".
Kurti foli edhe për uljen e borxheve ndaj operatorëve ekonomikë, duke thënë se ato janë reduktuar.
Kurti tha se mandati i kaluar ka shënuar rritje të shpenzimeve kapitale dhe paralajmëroi rritje të mëtejshme.
Kurti: Jemi të interesuar për gazifikimin e qymyrit të Kosovës
(E plotësuar) Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se janë shumë të interesuar për përfshirjen e ekspertizës amerikane në sektorin energjetik, duke theksuar se mbështesin gazifikimin e qymyrit të Kosovës.
Kurti: Energjia e ripërtëritshme, gazifikimi i linjitit dhe bashkëpunimi me Shqipërinë në fokus të politikave energjetike
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova do të vazhdojë investimet në energjinë e ripërtëritshme, modernizimin e kapaciteteve ekzistuese dhe studimet për gazifikimin e linjitit, si pjesë e strategjisë afatgjatë energjetike.
Ai tha se në fund të mandatit pritet rritje e ndjeshme e kapaciteteve të prodhimit nga burimet e ripërtëritshme. "Në fund të mandatit, do t'i kemi 350 megavat të energjisë që prodhohet nga era dhe 250 megavat që prodhohet nga dielli", deklaroi Kurti në një intervistë për RTK.
Ai përmendi edhe projektet për bateri akumuluese të energjisë, të cilat sipas tij janë pjesë e një programi të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Do të jenë 170 megavat kapaciteti, i cili do të mund të akumulojë për dy orë, pra energji e gjithëmbarshme prej 340 megavat-orë", tha ai.
Kurti theksoi se po vazhdojnë projektet me energji të ripërtëritshme në disa lokacione në vend, përfshirë Kramovikun dhe Rahovecin.
Në lidhje me termocentralet ekzistuese, ai tha se po synohet rritja e kapaciteteve dhe modernizimi i tyre, veçanërisht për kogjenerim dhe prodhim më efikas të energjisë dhe ngrohjes.
"Nga 140 megavat në 280 megavat", deklaroi ai, duke iu referuar zgjerimit të kogjenerimit.
Kurti tha se po zhvillohet edhe modernizimi i termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, ku sipas tij priten rritje të kapaciteteve. Ai foli edhe për studimet për gazifikimin e linjitit, duke e cilësuar si një opsion strategjik afatgjatë.
"Do ta bëjmë studimin e fizibilitetit drejt gazifikimit të linjitit, 10 deri në 14 miliardë tonë qymyr linjit që i kemi përgjithësisht në sipërfaqe nuk mund të çlirohemi nga përdorimi aq shpejt", tha Kurti.
Ai shtoi se procesi do të realizohet me ekspertizë ndërkombëtare, përfshirë kompani amerikane apo evropiane.
Në aspektin mjedisor, Kurti tha se instalimi i elektrofiltrave në termocentralet ekzistuese do të ulë ndjeshëm ndotjen. "Për 97% ta ulin pluhurin", tha ai, duke shtuar se do të ulen edhe emetimet e tjera ndotëse.
Kurti përmendi edhe investimet në efiçiencë të energjisë, duke thënë se do të ndahen 150 milionë euro për izolimin e ndërtesave publike dhe shtëpive private. Ai theksoi se synimi i qeverisë është ulja e varësisë nga importi i energjisë dhe rritja e prodhimit vendor.
Kurti u ndal edhe te çështja e gazit, duke përmendur bashkëpunimin me Shqipërinë dhe mundësinë e investimit në terminalin e gazit të lëngshëm në Vlorë. "Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në terminalin e Vlorës", deklaroi ai, duke shtuar se gazi i importuar do të mund të kthehej në energji elektrike përmes interkoneksionit me Shqipërinë.
Ai tha se preferenca e Kosovës mbetet shfrytëzimi i linjitit përmes gazifikimit, ndërsa gazi i lëngshëm shihet si alternativë përmes bashkëpunimit rajonal. Kurti sqaroi se rritja e kostos së energjisë së importuar lidhet me zhvillimet globale. "Që nga agresioni rus në Ukrainë, çmimet e importit të energjisë elektrike janë rritur për 3.5 herë", tha ai, duke shtuar se importi nuk është rritur ndjeshëm në sasi, por në çmim.
Kurti zotohet se do të ketë 1 miliard euro investime kapitale
(E plotësuar) Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, është zotuar se do të ketë 1 miliard euro investime kapitale.
Kurti prezanton prioritetet programore: Nga prodhimtaria dhe punësimi te mbrojtja, shëndetësia dhe arsimi
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se zgjedhjet e reja nuk janë të dëshirueshme, por sipas tij janë bërë të domosdoshme.
"Nuk besoj që zgjedhjet janë të dëshirueshme për qytetarët. Jam i bindur që janë të panevojshme për shtetin. Por, tash është e domosdoshme të votojmë në pikën ku ndodhemi", deklaroi Kurti në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje synon rritjen e mbështetjes elektorale. "Po përpiqemi me krejt çfarë dimë e mundemi që edhe këtë radhë të shtojmë 9%, e ndoshta një shumicë që është më shumë se shumica, por jo më shumë se shumë, sepse rrethanat janë të tilla, do ta përmbyllë situatën dhe ia qesim pikën", u shpreh ai.
Duke folur për mandatin e kaluar, Kurti tha se qeverisja ishte përqendruar në fusha që, sipas tij, kishin qenë të neglizhuara më herët.
"Ne jemi përqendruar në pesë çështje që janë kategori, fushëveprimtari, territor në shtetin tonë që kanë qenë të anashkaluara, të shpërfillura prej të tjerëve", tha ai.
Kurti përmendi mbështetjen për nënat dhe fëmijët, duke theksuar se "kurrë nuk kanë pasur shtesa më herët nënat lehona dhe fëmijët".
150 mijë fermerë gjithsej kanë marrë mbi 350 milionë euro subvencione e grante
Për sektorin e mbrojtjes, ai tha se gjatë mandatit të kaluar është rritur numri i ushtarëve dhe buxheti për këtë fushë.
"Më shumë se dyfish kemi shtuar numrin e ushtarëve, më shumë se trefish buxhetin për mbrojtje, më shumë se katërfish trajnimet jashtë vendit dhe më shumë se 100-fish blerjet e armatimeve edhe pajisjeve ushtarake", deklaroi Kurti.
Sa i përket bujqësisë, ai tha se "150 mijë fermerë gjithsej kanë marrë mbi 350 milionë euro subvencione e grante", ndërsa shtoi se eksporti i lakrave është tetëfishuar dhe ai i domateve është rritur 24 herë krahasuar me fillimin e mandatit.
Kurti tha se në mandatin e ardhshëm planifikohet një fond prej një miliard eurosh për prodhimtarinë.
"Askush nuk do të ketë nevojë të lë peng në bankë për kredi investive tokën, shtëpinë ose veturën, meqenëse shteti garanton 1 miliard euro", tha ai.
Ai njoftoi gjithashtu për zgjerimin e skemave të punësimit për gratë dhe rritjen e profileve në sistemin dual të arsimit profesional.
Në fushën e mbrojtjes, Kurti tha se parashihet investim prej një miliard eurosh dhe zhvillimi i industrisë ushtarake.
"Duhet të hyjmë në industri ushtarake. Do të prodhojmë drona dhe municion. Fabrika është në Jahoc të Gjakovës. Para Vitit të Ri, do të dalin fishekët e parë Made in Kosova", deklaroi ai.
Kurti tha se do të krijohet edhe rezerva vullnetare e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në shëndetësi, ai tha se synohet funksionalizimi i sistemit informativ shëndetësor dhe zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme.
"Do ta bëjmë 100 milionë euro buxhetin për listën e barnave esenciale", tha Kurti, duke shtuar se do të vendosen edhe tri rezonanca të reja magnetike.
Në arsim, ai përmendi krijimin e pesë gjimnazeve të specializuara të ekselencës dhe zgjerimin e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm.
"Mandatin e ardhshëm, 20 mijë fëmijët që janë të moshës 5 deri në 6 vjeç, që të gjithë do t'i çojmë në çerdhe", deklaroi ai.
Kurti tha se prindërit do të mbështeten edhe përmes një sistemi biletash për çerdhet jopublike, ndërsa gjyshet dhe gjyshërit do të përfitojnë "100 euro shtesë nëse kujdesen për nipa e mbesa kur të dy prindërit punojnë".
Ai përmendi gjithashtu planet për ndërtimin e digave, nisjen e projekteve rrugore, lidhjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari" me kryeqytetin, ndërtimin ose renovimin e stadiumeve për Lojërat Mesdhetare dhe projektin për gazifikimin e linjitit.
Kurti: Do të kemi një miliard euro investime në ushtri|LIVE
(E plotësuar) Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se në mandatin e ardhshëm do të ketë një miliard euro investime në ushtri.
Kurti: Pres që të rritet numri i mërgimtarëve të kthyer në Kosovë
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se pret që të rritet numri i mërgimtarëve të kthyer në Kosovë.
Kurti: "Pika" nënkupton përmbylljen e një periudhe të gjatë dhe hapjen e një kapitulli të ri
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se slogani "Pika" simbolizon përmbylljen e një periudhe dhe fillimin e një kapitulli të ri.
Në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës, Kurti deklaroi se "nëse dikur kishim shtet për disa, tash për krejt".
"Pika do të duhej ta përmbyllë një periudhë të gjatë dhe ndodhët në kontrast me presjen", tha ai, duke iu referuar numrit të madh të proceseve zgjedhore të mbajtura kohët e fundit.
Sipas Kurtit, gjatë një viti e gjysmë janë mbajtur pesë palë zgjedhje, përfshirë tri zgjedhje parlamentare dhe dy raunde të zgjedhjeve lokale.
"Pesë palë zgjedhje, nga të cilat tri palë zgjedhje kishin fushatë katër javore", u shpreh ai.
Kurti foli edhe për pjesëmarrjen e diasporës në procesin zgjedhor, duke theksuar se votimi i bashkatdhetarëve tashmë kishte nisur.
"Deri mbrëmë në mesnatë bashkatdhetarët tanë kanë votuar me postë dhe sot ka pasur radhë të gjata duke pritur në ambasada dhe konsullata", tha Kurti.
Ai shtoi se slogani "krejt për shtet, shtet për krejt" lidhet me të gjithë qytetarët e vendit. "Mbase janë më shumë se 1.6 milionë arsye kur po them 'krejt për shtet, shtet për krejt', sepse aq jemi rezidentë", deklaroi Kurti.
Duke folur për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit, ai tha se "kemi edhe qindra mijëra bashkatdhetarë të cilët janë qytetarë të Republikës, mirëpo megjithatë nuk janë banorë këtu, meqenëse janë me punë të përkohshme që u është zgjatur ca jashtë atdheut".
LIVE: Intervistë me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti
Lideri i Vetëvendosjes dhe njëherit kandidati për kryeministër, Albin Kurti, tha se nuk beson që zgjedhjet janë të dëshirueshme për qytetarët.
Ai, në një intervistë për RTK, tha se pret që të ketë rritje në këto zgjedhje dhe se procesi do të përmbyllet me sukses.























