Përfundon procesi i votimit
BKT
Lajme

Përfundon procesi i votimit

M.Pasoma & A.Bela / RTKlive

(E plotësuar, ora 19:24) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka përditësuar të dhënat e fundit sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen sot. Nga të dhënat e fundit, KQZ bën të ditur se deri në orën 19:24, kanë votuar rreth 36,13%. Deri më tani janë procesuar 97,92%.

Në orën 19:00 ka përfunduar periudha e lejuar për të hyrë në qendrat e votimit për të votuar.

KQZ përditëson të dhënat, deri në orën 17:00, votuan 29,28 % e qytetarëve

(E plotësuar, ora 17:59) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka përditësuar të dhënat e fundit sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen sot. Nga të dhënat e fundit, KQZ bën të ditur se deri në orën 17:00, kanë votuar rreth 29,28 %. Deri më tani janë procesuar 99,84%.

Pjesëmarrja më 28.12.2025, ishte 38,63%.

KQZ: Pjesëmarrja në votime kalon 445 mijë qytetarë deri në orën 15:00

V.Xhoxhaj/M.ShefkiuRTKLive

(E plotësuar 15:30) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës po zhvillohet sipas planifikimeve në të gjitha komunat e vendit, pa probleme që do të cenonin mbarëvajtjen e tij. Sipas të dhënave preliminare nga mbi 98.5% e vendvotimeve, deri në orën 15:00 kanë votuar 445 mijë qytetarë, ose 22,74% e 1 milionë e 959 mijë e 962 votuesve me të drejtë vote.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se sipas të dhënave të fundit nga Komisionet Komunale, qendrat e votimit po funksionojnë normalisht në të gjithë vendin.

“Në dhomën operative jemi duke pranuar vazhdimisht raportime të ndryshme nga Qendrat e Votimit dhe duke u mbështetur në natyrën e këtyre raportimeve, të cilat janë kryesisht çështje teknike, procesi zgjedhor po zhvillohet qetë dhe pa asnjë pengesë që do të mund të cenonte mbarëvajtjen e rregullt të këtij procesi zgjedhor. Po ashtu, duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga mbi 98% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 445 mijë e 622 votues apo 22,74% nga 1 milionë e 959 mijë e 962 votues”, tha Radoniqi në konferencë për media.

Radoniqi, theksoi s deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, kishin votuar 29.29% apo 585 mijë e 635 votues nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues.

Konferenca e radhës e KQZ-së mbahet në orën 19:30, në të cilën është planifikuar të paraqitet pjesëmarrja në votime deri në orën 19:00 dhe përfundimi i procesit të votimit.

-----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Sipas KQZ-së, bazuar në raportimet nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, votimi po zhvillohet në kushte të rregullta dhe në përputhje me procedurat zgjedhore në fuqi.

KQZ ka bërë të ditur se ka aktivizuar dhomën operative, ku janë të përfshirë zyrtarë të KQZ-së, Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës dhe KEDS, për të koordinuar dhe monitoruar procesin gjatë gjithë ditës së votimit.

“Çdo raportim i pranuar nga institucionet dhe strukturat përgjegjëse është duke u shqyrtuar me kujdes dhe në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.

KQZ ka krahasuar këto të dhëna me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, ku deri në të njëjtën orë kishin votuar 8.27% e votuesve.

Ndërkohë, konferenca e radhës e KQZ-së është paralajmëruar për në orën 15:30, ku pritet të bëhet e ditur pjesëmarrja deri në orën 15:00 dhe ecuria e procesit zgjedhor.

KQZ: Vazhdon procesi, deri në 11:00 kanë votuar rreth 110 mijë qytetarë

(E plotësuar 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në vend, nërsa deri në ora 11:00 kanë votuar më shumë se 5.5 për qind e votuesve ose rreth 110 mijë qytetarë.

Sipas KQZ-së, në orët e hershme të mëngjesit materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha Qendrat e Votimit në Republikën e Kosovës, duke mundësuar fillimin e rregullt të procesit zgjedhor.

Sot, votimi po zhvillohet në 949 Qendra të Votimit me gjithsej 2,550 vendvotime. Prej tyre, 911 qendra me 2,498 vendvotime janë për votim të rregullt, ndërsa 38 qendra (nga një në secilën komunë) me 52 vendvotime janë të dedikuara për votim me kusht.

Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto zgjedhje është 1,959,962, të shpërndarë në 38 komuna.

KQZ ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët me të drejtë vote ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në votime.

Në këto zgjedhje janë certifikuar 21 subjekte politike, prej të cilave 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Në total, garojnë 902 kandidatë, prej të cilëve 593 janë burra dhe 309 gra.

Po ashtu, KQZ ka bërë të ditur se përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org qytetarët mund të kontrollojnë qendrën e tyre të votimit.

Në kuadër të menaxhimit të procesit zgjedhor, është funksionalizuar edhe dhoma operative, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të KQZ-së, Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, e cila monitoron zhvillimet gjatë ditës dhe koordinon trajtimin e çdo raportimi.

KQZ njofton se konferenca e radhës do të mbahet në orën 11:30, ku do të prezantohet pjesëmarrja e qytetarëve deri në orën 11:00 dhe ecuria e procesit zgjedhor.


MË SHUME NGA Lajme