KDI: Dalja e ulët në zgjedhje pasojë e proceseve të shpeshta zgjedhore
Valbona Thaçi / RTKLive
Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Florent Spahija, ka vlerësuar se zgjedhjet e 7 qershorit janë zhvilluar në mënyrë të qetë dhe demokratike, por me një pjesëmarrje më të ulët të qytetarëve në votime krahasuar me proceset e kaluara.
“Realisht ka qenë një ditë normale, e zakonshme. Ka pasë votues, por jo në numrin që është pritur, apo në numrin e zakonshëm që i kishim në dhjetor”, tha Spahija në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.
Ai theksoi se një nga arsyet kryesore të rënies së pjesëmarrjes është numri i madh i zgjedhjeve brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke shtuar se qytetarët janë “të ngopur” me procese zgjedhore.
“Ne kemi pasë zgjedhje brenda një periudhe gati njëvjeçare… qytetarët disi janë të ngopur nga zgjedhjet edhe normalisht që kjo është përkthyer në mosdalje në votime”, u shpreh ai.
Duke folur për procesin në përgjithësi, Spahija tha se ka pasur disa probleme teknike dhe procedurale, përfshirë edhe çështjen e votimit me asistencë, por që nuk kanë ndikuar në integritetin e zgjedhjeve.
“Në përgjithësi gjithçka ka qenë proces zgjedhor, dhe procesin zgjedhor e kryejnë njerëzit, ku shpeshherë mungesa e trajnimit sjell vonesa apo ngatërrime të detyrave”, tha ai.
Spahija komentoi edhe rezultatet preliminare, duke thënë se numërimi është drejt përfundimit dhe nuk priten ndryshime të mëdha në rezultat.
Ai shtoi se sfida kryesore paszgjedhore mbetet krijimi i institucioneve dhe reflektimi i partive politike ndaj mesazhit të qytetarëve.























