Dyshohet se anëtari i komisionit fshehu fletëvotime, kërkohet paraburgim
BKT
Foto ilustruese
Lajme

Dyshohet se anëtari i komisionit fshehu fletëvotime, kërkohet paraburgim

G.K/RTKlive

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të pandehuri për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.

Sipas njoftimit, dyshohet se më 07.06.2026, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në qendrën e votimit në shkollën “Sharr” në fshatin Jabllanicë të Prizrenit, i pandehuri A.D., në cilësinë e anëtarit të komisionit zgjedhor, ka marrë dhe fshehur gjashtë (6) fletëvotime të paplotësuara, të cilat paraprakisht i kishte shkëputur nga blloku i fletëvotimeve.

Prokuroria ka bërë të ditur se kërkesa për paraburgim lidhet me veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit” nga neni 217 paragrafi 2, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas prokurorisë, veprimet dyshohet se janë kryer me qëllim të pengimit të zhvillimit të rregullt të procesit zgjedhor dhe cenimit të shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve.

Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të rasteve që cenojnë vullnetin e qytetarëve.


MË SHUME NGA Lajme