Prishtina shënon 27-vjetorin e Çlirimit, Rama: Liria kërkon përgjegjësi
Kimete Kasumi/ RTKlive
Në shënim të 27-vjetorit të Çlirimit të Prishtinës, Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti seancë solemne me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, veteranëve të luftës, pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe mysafirëve të tjerë. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se liria e fituar me sakrificë duhet të shoqërohet me përgjegjësi për ndërtimin e një shteti dhe kryeqyteti të denjë për brezat e ardhshëm.
“Sot jemi në një seancë simbolike ku takohet historia me të ardhmen. Kemi veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me guxim, sakrificë dhe besim sollën lirinë, por edhe institucionet që e ruajnë atë sot Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe të gjithë punëtorët që çdo ditë u shërbejnë qytetarëve. Kjo është dëshmia më e bukur e rrugëtimit tonë nga rezistenca te shtetndërtimi”, tha Rama.
Ai theksoi se Dita e Çlirimit nuk është vetëm ditë feste, por edhe ditë përgjegjësie.
“Përgjegjësia jonë sot nuk është ta fitojmë lirinë, atë e fituan ata që sakrifikuan gjithçka. Përgjegjësia jonë është të ndërtojmë një shtet dhe një kryeqytet të denjë për atë sakrificë”, u shpreh ai.
Rama përmendi edhe projektet memoriale që po realizohen në kryeqytet, duke veçuar përfundimin e varrezave të dëshmorëve në Makoc, Marec dhe Prapashticë.
"E në zemër të Prishtinës tani do të ndërtohet edhe memoriali i familjes Jashari të komandantit legjendar Adem Jashari", tha ai.
Sipas tij, në fazën përfundimtare është edhe projekti për Parkun Memorial dhe Bibliotekën Presidenciale “Ibrahim Rugova”.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, tha se liria e Kosovës është rezultat i sakrificës së brezave të tërë dhe se kujtimi për dëshmorët mbetet pjesë e pandashme e ndërgjegjes kombëtare.
“Në këtë ditë përkulemi me respektin më të thellë para dëshmorëve të kombit, martirëve, invalidëve të luftës dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për idealin e lirisë. Lavdia e tyre është e pavdekshme”, deklaroi Kupina.
Ndërkaq, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, vlerësoi 11 qershorin 1999 si një nga datat më të rëndësishme në historinë e Kosovës.
“Sot shënojmë 27-vjetorin e çlirimit të Prishtinës. Me hyrjen e forcave të NATO-s dhe largimin e forcave serbe, liria po bëhej e prekshme. Çlirimi i Kosovës nuk është vetëm një tregim për të kaluarën tonë të lavdishme, por edhe një udhërrëfyes për të ardhmen”, tha Mustafa.
Ai shtoi se UÇK-ja, ndonëse një ushtri e vogël, arriti të krijojë aleancë me shtetet demokratike dhe të sjellë lirinë për popullin e Kosovës.
“Çlirimi nuk ishte vetëm largimi i forcave pushtuese. Ishte rikthimi i identitetit njerëzor, i së drejtës për të menduar e jetuar lirshëm. Përgjegjësia jonë për ta ruajtur këtë liri është shumë e madhe”, theksoi Mustafa.























