Nimoni: Kosova lider në rajon për ndërmjetësim
BKT
Lajme

Nimoni: Kosova lider në rajon për ndërmjetësim

G.K/RTKlive

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Genc Nimoni, ka marrë pjesë në hapjen e Forumit Rajonal të Ndërmjetësimit në Tiranë, ku ka vlerësuar ndërmjetësimin si mekanizëm efikas për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe ka deklaruar se Kosova është lider në rajon në këtë fushë.

“Ndërsa, rezultatet flasin vetë, vetëm në vitin 2025, sipas statistikave zyrtare, janë zgjidhur 11,937 lëndë në ndërmjetësim. Këto shifra tregojnë qartë se ndërmjetësimi po fiton besimin e qytetarëve”, tha Zëvendësministri Nimoni.

Ai vuri në pah se Kosova ka shënuar rezultate të rëndësishme në funksionalizimin e ndërmjetësimit si në çështjet penale ashtu edhe në ato civile, ndërsa me ndryshimet e fundit ligjore ky mekanizëm është zgjeruar edhe në fushën administrative, duke afruar sistemin e drejtësisë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Në këtë drejtim, Nimoni falënderoi të gjithë akterët institucionalë dhe partnerët për kontributin e vazhdueshëm në fuqizimin e mekanizmit të ndërmjetësimit në Republikën e Kosovës dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit për avancimin e tij në shërbim të qytetarëve.

Në hapjen e forumit morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë, ndërmjetësues dhe partnerë ndërkombëtarë nga vendet e rajonit, të cilët diskutuan për zhvillimin e sistemeve të ndërmjetësimit, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Projekti “SEE Mediation” synon të mbështesë avancimin e sistemeve të ndërmjetësimit në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, në përputhje me standardet evropiane dhe reformat në drejtësi. 


MË SHUME NGA Lajme