Nis numërimi i votave me postë nga diaspora
G.K/RTKlive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me numërimin e fletëvotimeve të para nga votimi me postë jashtë Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili njoftoi se derisa po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi në përfaqësi diplomatike, ku deri më tani, të premten në orën 21:00, janë numëruar 34 nga 47 vendvotimet, ka nisur edhe numërimi i votave me postë.
Sipas tij, fletëvotimet nga votimi me postë janë sistemuar në kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit.
"Fletëvotimet nga votimi me postë janë sistemuar në kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit. Aktualisht procesi ka nisur me një kuti votimi”, ka thënë Elezi.
Ndërkohë, deri më tani janë numëruar 34 nga 47 vendvotimet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.























