Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e 20-të
BKT
Shqipëri

Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e 20-të

ATSH

Protestuesit u mblodhën sot sërish në sheshin “Skënderbej” në Tiranë në ditën e 20-të radhazi dhe marshuan drejt godinës së Kryeministrisë.

Me pankarta dhe flamuj në duar ata përsëritën thirrjet e tyre për ndalimin e zhvillimit të projektit turistik në Zvërnec.

Gjatë marshimit të tyre protestuesit kanë kaluar edhe pranë disa qytetarëve që po shihnin ndeshjet e Botërorit në ekranet gjigante të vendosura në qendër të kryeqytetit nga bashkia dhe u kanë bërë thirrje që t’u bashkohen në protestë.

Aktivisti Arben Kola u ka bërë thirrje protestuesve që të shmangin çdo përplasje dhe të mos bien pre e provokimeve gjatë marshimit të zhvilluar drejt Kryeministrisë.

Në fjalën e tij para nisjes së tubimit, Kola u shpreh se qytetarët duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos përfshihen në përshkallëzim të situatës, duke theksuar se çështjet që ngrihen në protestë duhet të trajtohen nga drejtësia.

“Nuk do të lejojmë përplasje dhe mos bini pre e provokimeve. Ne duam që me ata të merret drejtësia”, u shpreh Kola.

Ai u bëri thirrje edhe bizneseve që t’i bashkohen protestës, duke mbyllur aktivitetin përkohësisht gjatë zhvillimit të tubimit.

Protestuesit kanë sjellë në protestë edhe një betoniere, simbolikë e pastrimit të parave në ndërtim. Kjo vjen pas disa goditjeve të SPAK kundrejt disa biznesmenëve shqiptarë të dyshuar si të përfshirë në grupe kriminale e që nëpërmjet investimeve në fushën e ndërtimit, pastronin paratë e trafikut të drogës.

Pas qëndrimit në shesh për disa orë ku mbajtën fjalime, qytetarët nisën marshimin në rrugët e kryeqytetit.


MË SHUME NGA Shqipëri