Mbahet sot diskutim rreth punësimit dhe fuqizimit të të rinjve
B.H./RTKlive
Ministria e Sportit dhe Rinisë, në bashkëpunim me Zyrën Lokale të RYCO-s në Kosovë dhe GIZ, sot organizon takimin “Rinia në Fokus: Takimi i Nivelit të Lartë për Koordinimin e Donatorëve në Kosovë”.
Ky takim është një platformë e nivelit të lartë që për herë të parë mbledh në një vend institucionet vendore, donatorët ndërkombëtarë, ambasadat, agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për të diskutuar investimet dhe prioritetet për të rinjtë në Kosovë.
Takimi do të mbahet në Ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ngjarjen do ta hapin: Blerim Gashani, Ministër i Sportit dhe Rinisë dhe Olivier Boudart, Udhëheqës i ekipit për Shoqëri Civile, Media, Rini dhe Kulturë në Zyrën e BE-së në Kosovë.
Në këtë takim të nivelit të lartë, që do të mbahet për herë të parë në Kosovë, në një tryezë të përbashkët do të jenë të pranishëm një numër i konsiderueshëm i shefave të misioneve diplomatike, drejtuesve të agjencive të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesve të lartë të Zyrës së BE-së në Kosovë, organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve donatore që investojnë në zhvillimin e rinisë në Kosovë.
Fokus i diskutimeve do të jenë tri fusha prioritare: Rinia, Paqja dhe Siguria.























