Rama `thumbon` protestuesin: Mbrëmë të kthyen në hero për të lënë të vetëm
rtsh
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka publikuar në rrjetin social Facebook një fotografi të një protestuesi para Kryeministrisë, të shoqëruar me një mesazh të gjatë drejtuar tij.
Në postimin e tij, Rama e përshkruan atë jo si humbës të një proteste, por si një qytetar të vetëm me bindjet e tij dhe me shqetësimet e veta.
Ai shprehet se protestuesi mund të jetë i motivuar nga frika për të ardhmen e vendit, nga shqetësimet për mjedisin, investimet apo çështje sociale si punësimi, shëndeti dhe pronat, duke theksuar se këto “halle” janë reale dhe të kuptueshme. Në mesazhin e tij, kryeministri kritikon gjithashtu mënyrën si, sipas tij, opinionbërës, media dhe grupe të ndryshme politike e shoqërore e përdorin zemërimin e qytetarëve për interesa të veta, duke i lënë më pas të zhgënjyer.
Rama shton se protestuesi nuk është vetëm, por mund të jetë i ndikuar dhe i “përdorur” nga narrativa të ndryshme publike dhe politike, përfshirë edhe përmes rrjeteve sociale dhe algoritmeve.
Ai i drejtohet qytetarit duke i thënë se nuk e sheh si armik, por si mik, dhe e fton të mos lejojë që hallet e tij të përdoren kundër vendit apo kundër vetes, duke theksuar se “Shqipëria bëhet nga çdo qytetar që kontribuon çdo ditë”.
“Eja tek unë. Jo të më duartrokasësh. Jo të heqësh dorë nga kritikat e tua. As të më votosh nëse nuk do të të mbushet mendja, se jo thjesht nuk jam unë e keqja e madhe që ata të kanë mbushur mendjen se jam, po unë sot jam e vetmja pengesë mes këtij vendi e teje dhe të këqijave të mëdha, që ata mund t’i bëjnë Shqipërisë po t’u hapet rruga. Eja pra tek unë, qoftë edhe vetëm për të mos lënë askënd ta përdorë hallin tënd kundër Shqipërisë dhe as të përdorë hallet e Shqipërisë kundër teje.
Eja, sepse Shqipëria nuk bëhet as me ata që brohorasin verbërisht, as me ata që zemërohen verbërisht. Shqipëria po bëhet nga çdo shqiptar e shqiptare, që në vend se të mallkojë errësirën ndez përditë qiriun e kontributit të vet, duke shtuar në çdo hap dritën e Shqipërisë Europiane dhe pakësuar errësirën e trashëguar nga kohërat e vjetra e më të reja”, shkruan Rama.























