Lokalizohet zjarri në Prishtinë, mes të trajtuarve edhe një fëmijë
Arbresha Berisha | RTK
(Plotësuar, 12:35) Një fëmijë 5-vjeçar, një banor tjetër i ndërtesës dhe pesë zjarrfikës kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të marra, pasi një ndërtesë në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë është përfshirë sot nga zjarri.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka bërë të ditur se zjarri është lokalizuar, ndërsa intervenimi i ekipeve emergjente po vazhdon.
“Deri tani, që pesë orë jemi këtu dhe zjarri është lokalizuar. Kemi dy qytetarë të lënduar, njëri prej tyre fëmijë 5-vjeçar. Gjatë intervenimit, pesë zjarrfikës kanë kërkuar ndihmë mjekësore, por nuk kanë lëndime serioze. Të gjithë janë trajtuar nga ekipet emergjente që ndodhen në terren. Është ende shumë herët të dihen shkaktarët e zjarrit”, ka thënë Fushtica.
Tre persona kërkuan ndihmë mjekësore pas zjarrit në Prishtinë
B.H. | RTKlive
(Plotësuar, 9:25) Tre persona kanë marrë trajtim mjekësor pas një zjarri që shpërtheu mëngjesin e sotëm në një ndërtesë banimi në Prishtinë.
Rastin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 07:30 kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një ndërtesë banimi në rrugën ‘Isa Kastrati’ në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia, ekipet mjekësore dhe zjarrfikësit, të cilët po merren me rastin. Bazuar në të dhënat e deritanishme, tre persona janë trajtuar nga ekipet mjekësore”, ka deklaruar Ahmeti.
Njësitet përkatëse janë duke u marrë me rastin, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura shkaqet e zjarrit.
Zjarr i madh përfshin një ndërtesë banimi në Prishtinë
Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në katin e sipërm të një ndërtese banimi në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë.
Nga pamjet e siguruara nga RTKlive, flakët shihen duke dalë përmes kulmit të objektit, ndërsa re të dendura tymi të zi kanë mbuluar zonën dhe janë vërejtur nga pjesë të ndryshme të kryeqytetit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës, ekipet e zjarrfikësve dhe ato të emergjencës mjekësore. Për arsye sigurie, policia ka bllokuar qarkullimin në afërsi të objektit dhe ka vendosur shiritat e sigurisë rreth perimetrit të zonës së prekur.
RTKlive ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe është në pritje të marrë më shumë detaje lidhur me këtë rast.























