Hoxha: Shqipëria synon mbylljen e negociatave me BE-në brenda vitit 2027
BKT
Shqipëri

Hoxha: Shqipëria synon mbylljen e negociatave me BE-në brenda vitit 2027

ATSH

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë më 26–27 qershor në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci, një platformë e rëndësishme ndërkombëtare për dialogun mbi të ardhmen e Evropës dhe sfidat globale.

Në panelin “Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor: Zgjidhja së bashku e çështjeve të pambyllura”, të zhvilluar në kuadër të forumit, Hoxha theksoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian mbetet shtysa më e fortë për transformimin demokratik, rritjen e besimit dhe garantimin e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Ministri nënvizoi se ambicia e Shqipërisë është e qartë dhe se vendi synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit, duke mbyllur të gjithë kapitujt negociues deri në fund të vitit 2027.

“Për Shqipërinë ekziston vetëm një drejtim që garanton të ardhmen tonë: anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Përmbushja e reformave dhe ruajtja e besueshmërisë së procesit të anëtarësimit duhet të ecin paralelisht”, u shpreh Hoxha.

Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se avancimi i interesave të përbashkëta përmes bashkëpunimit praktik forcon qëndrueshmërinë, mirëqenien dhe perspektivën evropiane të rajonit.

Ministri theksoi nevojën për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe dialogu konstruktiv janë elemente të domosdoshme për stabilitetin afatgjatë dhe integrimin e suksesshëm në Bashkimin Evropian.

Në këtë kuadër, Hoxha u shpreh se mbështetja për Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike përbën jo vetëm një akt solidariteti ndaj shtetit më të ri të Evropës, por edhe një investim për të ardhmen e përbashkët evropiane.

“Një Kosovë e qëndrueshme, demokratike dhe e begatë kontribuon në një Evropë më të fortë dhe më të sigurt”, tha ai.

Në fjalën e tij, ministri Hoxha ritheksoi gjithashtu se marrëdhëniet transatlantike mbeten një gur themeli i sigurisë evropiane.

“Për Shqipërinë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe partneriteti transatlantik janë dy anë të së njëjtës medalje, shtylla që forcojnë paqen, sigurinë dhe të ardhmen tonë”, përfundoi ministri.


MË SHUME NGA Shqipëri