UP me program master në antropologji /Video
BKT
Lajme

UP me program master në antropologji /Video

Besjana Mulaj / RTK

Nga tetori i këtij viti, të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin studimet në fushën e antropologjisë do të kenë mundësinë të fillojnë studimet master në Departamentin e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Kjo është bërë e mundur pas akreditimit të programit, i cili për herë të parë do të ofrohet në këtë vit akademik.

“Këtë vit fillojmë me masterin në trashëgimin kulturore, në përpilimin e kushteve të pranimit ne e kemi bërë të mundshme që të pranohen edhe ata që kanë studiuar fusha të tjera por që janë të ngjashme, sepse antropologjia është një disiplinë e cila mund a gjej veten edhe ata që e kanë studio një degë tjetër në bachelor”, ka thënë Zanita Halimi, shefe e departamentit të Antropologjisë.

“Një dëshirë e kahershme ka qenë hapja e programit master dhe jemi të kënaqur që kemi arrit me akreditu dhe këtë vit do t’i kemi studentët e parë në programin master që fillon prej shtatorit, master në trashëgimi kulturore, pastaj kemi edhe shumë projekte kulturore, ne kemi edhe shumë projekte me kolegë nga vise të ndryshme ndërkombëtare që sponsorizohen nga institucione të ndryshme nga ambasada amerikane”, ka thënë Arsim Canolli, Drejtor I institutit të Antropologjisë

Profesorët e këtij drejtimi vlerësojnë se antropologjia po shndërrohet në një fushë gjithnjë e më atraktive për të rinjtë, pasi studentët që në vitin e parë të studimeve kanë mundësi të zhvillojnë punë në terren. Kjo u mundëson atyre të njihen nga afër me trashëgiminë kulturore, gjurmët historike dhe metodat praktike të kërkimit shkencor.

 “Tash departamenti jonë ka programin antropologji dhe trashëgimi kulturore në Bachelor dhe në master në trashëgimin kulturore por megjithatë në Bachelor ne i kemi zgjedh disa lëndë, pastaj në master janë planifikuar lëndë si arkeologjia publike e cila është një lëndë e re dhe do t’i nxit dëshirën e studentëve të ri që të vinë dhe të studiojnë, pra e kemi ruajt një numër të madh të lëndëve që arrijnë me e formu një student Bachelor që më mujt në të ardhmen me studiuar edhe profilin e arkeologjisë”, ka thënë Ilir Culaj.

Gjatë 25 viteve të funksionimit të programit Bachelor në antropologji janë diplomuar mbi 400 studentë.

Megjithatë, stafi akademik u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të investojnë më shumë në këtë fushë studimi, në mënyrë që laboratori i departamentit të funksionalizohet plotësisht dhe studentëve t’u krijohen kushte më të mira për zhvillimin e punës praktike dhe kërkimin shkencor.


MË SHUME NGA Lajme