Nisin patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë
E.Hoti/RTKlive
Nga 1 korriku 2026 kanë nisur patrullimet e përbashkëta të zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar në territorin e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy vendeve.
Sipas Policisë së Kosovës, ky angazhim synon forcimin e bashkëpunimit profesional, rritjen e sigurisë në trafik dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët, veçanërisht gjatë sezonit veror kur numri i udhëtarëve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë rritet ndjeshëm.
Patrullimet do të zhvillohen në koordinim të ngushtë mes dy policive, me fokus në parandalimin e aksidenteve rrugore, respektimin e rregullave të komunikacionit dhe rritjen e sigurisë publike.
Policia e Kosovës ka vlerësuar lart bashkëpunimin me Policinë e Shtetit Shqiptar, duke theksuar se do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të përbashkëta që kontribuojnë në sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve.























