Inspektimi në qumështoren ‘Vita’ mes polemikash /Video
Arbresha Berisha / RTK
Një inspektim i gjerë në fabrikën e qumështit “Vita” është kthyer në debat publik, pasi kjo fabrikë vendosi ta ndal prodhimin përkohësisht.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi se gjatë inspektimit janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa në objekt, sipas AUV-së, janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse.
Vendimi për inspektim erdhi nga Ministria e Bujqësisë.
"Ka qenë në bazë të vendimit të ministrit", ka thënë Eroll Shehu, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Por, sipas Shehut, në fabrikë nuk është gjetur asnjë defekt, e as nuk është shqiptuar ndonjë masë.
"Ne nuk kemi diçka që kemi gjetur gabime në aspektin e sigurisë ushqimore. Ne nuk kemi thënë me mbyll fabrikën. Ne nuk kemi thënë produktet nuk i ke të mira", ka shtuar Shehu.
Në lidhje me rastin, të premten para medieve, menaxhmenti i fabrikës tha se vendimi për ndërprerjen e aktivitetit është marrë nga ta, derisa të dalin rezultatet e analizave laboratorike.
"Janë marrë mostrat të qumështit “Vita 3.2” me pretendimin e analizës. Ne kemi thënë prapë, ju bëjmë apel që sa më shpejt të jetë e mundur të bëhen analizat, të publikohen, dhe ne jemi të gatshëm që që sot apo nesër të fillojmë grumbullimin”, ka thënë Artan Spahija, drejtor i përgjithshëm i qumështores “Vita”.
Nga fabrika ngritën shqetësime pasi thanë se në inspektime të pranishëm ishin edhe zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë.
“Nuk kanë qenë vetëm inspektorët që na kanë vizituar, sepse inspektorët nuk janë 15 vetë, inspektorët vijnë në përbërje pesë ose tre. Në këtë rast kemi pasur edhe një grup punues në përbërje krejtësisht politike. Përkatësisht ka qenë këshilltarja politike e ministrit, edhe ka qenë një person tjetër i cili është konkurrent në treg me ne", ka thënë Lekë Sahatçiu, drejtor ligjor i kompanisë.
Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një aktivitet të organizuar sot nga Ministria e Bujqësisë, tha se siguria ushqimore mbetet jetike për shëndetin e qytetarëve.
“Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve. Që të bëjmë sa më parë, mundësisht aspak, analiza pacientësh në spitale, është e nevojshme që të kemi sa më shumë dhe gjithnjë e më shumë analiza ushqimesh që na servohen”, ka thënë Kurti.
Reagime për inspektimet në këtë fabrikë patën përfaqësues të bizneseve.
"Ftojmë institucionet e Republikës së Kosovës të jenë më të kujdesshme ndaj prodhuesit vendor, prodhuesit vendor të jenë më të kujdesshëm ndaj konsumatorëve, e konsumatorët më të vetëdijshëm për të konsumuar prodhime "Made in Kosova", ka thënë Agim Shahini, kryetar i AKB-së.
Përveç AKB-së, reagime ka pasur edhe nga përfaqësues tjerë të bizneseve. Të enjten ministri në detyrë i Bujqësisë tha se qëllimi i kontrolleve të tilla është mbrojtja e interesit publik dhe siguria ushqimore.























