Gjashtë kandidatë kalojnë në fazën e intervistimit për Drejtor të RTK-së
BKT
Në Fokus

Gjashtë kandidatë kalojnë në fazën e intervistimit për Drejtor të RTK-së

Edona Podvorica /RTK

(Plotësuar, 21:05) Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën, në kuadër të procedurës së konkursit publik për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, ka shqyrtuar dokumentacionin e dorëzuar nga kandidatët, përfshirë edhe dokumentacionin plotësues të paraqitur brenda afatit të përcaktuar.

Në komunikatën për media pas mbledhjes së Bordit të RTK-së theksohet se pas shqyrtimit dhe verifikimit të dokumentacionit, Bordi konstatoi se në konkurs kanë aplikuar gjithsej tetë kandidatë. Prej tyre, gjashtë kanë përmbushur kushtet e përcaktuara në konkurs dhe janë kualifikuar për fazën e intervistimit.

Kandidatët që kanë plotësuar kriteret janë: Lorik Arifaj, Antigonë Baxhaku, Hysen Hundozi, Arber Geci, Nexhmedin Spahiu dhe Zana Spahiu.

Ndërkohë, dy kandidatë nuk kanë dëshmuar, përmes dokumentacionit të dorëzuar, përmbushjen e kushteve të konkursit dhe, për rrjedhojë, nuk janë kualifikuar për fazën e mëtejme të procedurës.

Sipas Bordit të RTK-së, procesi i përzgjedhjes do të vazhdojë me fazën e intervistimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet e brendshme të institucionit.

Bordi ritheksoi përkushtimin për zhvillimin e një procesi të rregullt, transparent dhe të paanshëm, të bazuar në parimet e meritës, mosdiskriminimit dhe mundësive të barabarta, duke theksuar se procedura do të mbetet e hapur për monitorim nga të gjithë të interesuarit gjatë gjithë zhvillimit të saj.

Bordi i RTK-së shqyrton kandidaturat për Drejtor të Përgjithshëm

Bordi i RTK-së po mban sot mbledhje në ndërtesën e Radio Kosovës.

Në rend dite është hapja dhe shqyrtimi i dokumentacionit të kandidatëve që kanë aplikuar në konkursin publik për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, të shpallur më 19 qershor.


MË SHUME NGA Në Fokus