Shkëmbimi rinor Gjermani-Kosovë bashkon të rinjtë në ide e miqësi
Shqipe Gashi|RTKlive
Në një kohë kur dialogu, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërkulturor po marrin një rëndësi të veçantë, programet e shkëmbimit rinor po shërbejnë si ura lidhëse mes njerëzve dhe kulturave të ndryshme.
Të rinj nga disa vende të Evropës janë mbledhur në Kosovë në kuadër të programit të organizuar nga Komiteti Ndërshtetëror i Rotari Gjermani-Kosovë (ICC Germany-Kosovo), me qëllim njohjen më të afërt me kulturën, historinë dhe realitetin e Kosovës, por edhe krijimin e miqësive dhe partneriteteve që tejkalojnë kufijtë.
Në një intervistë në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK-në, përfaqësuesit e këtij komiteti, Hejner Grenwald nga seksioni gjerman dhe Erik McKinley nga seksioni kosovar, kanë treguar se ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve për të promovuar shkëmbimin kulturor, tolerancën dhe qytetarinë evropiane.
Grenwald ka rrëfyer se ideja për krijimin e këtij bashkëpunimi lindi rreth tetë vite më parë, fillimisht përmes një takimi mes përfaqësuesve të Gjermanisë dhe Turqisë, ku më pas u përfshi edhe Kosova.
“Ka qenë një përvojë shumë e bukur. Njerëzit kanë qenë shumë mbështetës dhe nga aty lindi ideja për të krijuar një komitet ndërshtetëror Gjermani-Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas tij, qëllimi kryesor i këtij organizimi është promovimi i miqësisë, bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ideve mes të rinjve nga vende të ndryshme.
“Ne kemi sjellë studentë këtu për të bashkëpunuar, për të diskutuar tema të përbashkëta dhe për të krijuar ide së bashku, me shpresën që të ndërtojnë miqësi afatgjata përtej kufijve”, ka deklaruar Grenwald.
Një nga temat qendrore të këtij edicioni është ndotja nga plastika dhe ndikimi i saj në mjedis, përfshirë edhe aspektet e planifikimit urban.
Organizatorët kanë bërë të ditur se qëllimi nuk është gjetja e një zgjidhjeje përfundimtare shkencore, por krijimi i një hapësire ku të rinjtë mund të shkëmbejnë ide dhe perspektiva.
“Kur vendosni njerëzit në një ambient pune dhe u jepni një çështje për të diskutuar, ata kanë më shumë motivim për të bashkëbiseduar dhe për të shkëmbyer ide. Kjo është arsyeja pse kemi zgjedhur këtë temë”, ka thënë McKinley.
Në këtë aktivitet marrin pjesë të rinj nga Kosova, Gjermania, Turqia, Maqedonia e Veriut, Austria, Shqipëria dhe vende të tjera evropiane. Pjesëmarrësit janë të moshës 18 deri në 26 vjeç dhe vijnë nga fusha të ndryshme akademike, përfshirë shkencat mjekësore, inxhinierinë, filologjinë dhe fusha të tjera.
Organizatorët theksuan se nuk kanë kërkuar profile të veçanta profesionale, por kanë synuar krijimin e një grupi sa më të larmishëm.
“Diversiteti i njerëzve, ideve dhe përvojave është ajo që e bën këtë shkëmbim të vlefshëm”, ka thënë McKinley.
Përmes këtij aktiviteti, të rinjtë kanë pasur mundësi të njohin më nga afër Kosovën, përmes vizitave kulturore dhe aktiviteteve të ndryshme, përfshirë edhe vizitën në Prizren.
McKinley ka vlerësuar se shumë prej pjesëmarrësve largohen me një përshtypje shumë më pozitive për Kosovën sesa ajo që kanë pasur para ardhjes.
“Ata takojnë njerëz miqësorë, shohin kulturën dhe vendet e bukura të Kosovës. Kjo i ndihmon edhe Kosovës që të tregojë anët e saj pozitive”, ka deklaruar ai.
Për Grenwaldin, kjo nuk është vizita e parë në Kosovë. Ai ka thënë se ka qenë disa herë në vend dhe gjithmonë është impresionuar nga mikpritja e njerëzve, natyra dhe trashëgimia kulturore.
“Përshtypja ime më e madhe janë njerëzit. Ata janë shumë miqësorë dhe gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë. Më pëlqen shumë edhe ambienti në Prishtinë, bjeshkët dhe vendet historike si Prizreni”, ka thënë ai.
Përfaqësuesit e Komitetit Ndërshtetëror Rotar Gjermani-Kosovë kanë bërë të ditur se ky nuk do të jetë aktiviteti i fundit. Hapi i ardhshëm pritet të jetë një takim i ngjashëm në Gjermani, ku të rinjtë nga Kosova do të kenë mundësi të vizitojnë vendin dhe të vazhdojnë shkëmbimin e ideve.
“Ne duam të vazhdojmë në këtë drejtim, sepse këto aktivitete ndihmojnë në krijimin e miqësive dhe bashkëpunimeve të reja”, ka thënë Grenwald.
Aktiviteti përmbyllet me prezantime nga pjesëmarrësit, të cilët më pas do të bartin përvojat dhe idetë e fituara në vendet e tyre.
“Është një pikë e vogël në oqean, por shpresojmë që të ketë një efekt valësh dhe të ndikojë në një rreth më të gjerë njerëzish”, ka përfunduar McKinley.























