Pa energji në ITU Shkabaj, ndikim në furnizimin me ujë
Sh.G|RTKlive
Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina" ka bërë të ditur se sot, rreth orës 11:00, në Impiantin e Trajtimit të Ujit (ITU) në Shkabaj është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, pa asnjë paralajmërim paraprak nga ana e KEDS-it. Si pasojë e kësaj ndërprerjeje të paplanifikuar, do të ketë ndikime në furnizimin me ujë të pijshëm për konsumatorët në komunën e Fushë Kosovës dhe në lagjen Kalabria në Prishtinë.
"Sipas informacioneve të siguruara, rikthimi i furnizimit me energji elektrike pritet të bëhet sot, rreth orës 15:00. Megjithatë, mungesa e energjisë elektrike për disa orë destabilizon procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së ujit, duke shkaktuar vështirësi në normalizimin e sistemit edhe pas rikthimit të energjisë", thuhet në njoftimin e KRU "Prishtina".
Kjo kompani ka shprehur shqetësimin që kjo ndërprerje është realizuar pa njoftim paraprak, duke pamundësuar marrjen e masave operative dhe informimin me kohë të konsumatorëve.
KRU "Prishtina", me këtë rast ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve të prekur dhe ka thënë se do t'i mbajë të informuar ata për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me normalizimin e furnizimit me ujë.























