Popoviq: Srebrenica është shndërruar në instrument politik në Serbi
BKT
Lajme

Popoviq: Srebrenica është shndërruar në instrument politik në Serbi

Anamari Repiq, RTK/Beograd

Historiani nga Beogradi, Dragan Popoviq, në një intervistë për Radio Kosovën 2, vlerëson se pushteti në Serbi, përmes kontrollit të hapësirës publike, formëson mënyrën se si shoqëria e sheh të kaluarën, ndërsa krimet e luftës përdoren për të thelluar ndarjet dhe për të forcuar modelin autoritar të qeverisjes. Megjithatë, ai beson se një pjesë e shoqërisë do të vazhdojë të ruajë kulturën e kujtesës dhe të këmbëngulë në faktet e vërtetuara.

Tridhjetë e një vjet pas gjenocidit në Srebrenicë, qëndrimi i Serbisë ndaj këtij krimi mbetet një nga çështjet politike më të ndjeshme në rajon. Ndërsa Beogradi zyrtar vazhdon të refuzojë ta cilësojë atë si gjenocid, organizatat e shoqërisë civile këmbëngulin në pranimin e fakteve të vërtetuara nga gjykatat dhe në zhvillimin e një kulture të kujtesës.

Historiani nga Beogradi, Dragan Popoviq, në një intervistë për Radio Kosovën 2, programi në gjuhën serbe, vlerëson se pushteti në Serbi prej vitesh ndërton në mënyrë sistematike narrativën për luftërat e viteve ’90, ku Srebrenica nuk trajtohet më si çështje faktesh historike, por si instrument i politikës bashkëkohore.

“Pushteti në Serbi ka një narrativë shumë të fortë sa i përket marrëdhënies me të kaluarën dhe praktikisht zhvillon politikën e vet të historisë”, tha ai.

Sipas tij, shteti, përmes institucioneve dhe hapësirës dominuese mediatike, përcakton mënyrën se si qytetarët i kuptojnë ngjarjet e luftërave të viteve ’90.

“Praktikisht të gjitha burimet publike, përfshirë mediat më të mëdha dhe pothuajse të gjithë hapësirën mediatike, përdoren për të formësuar perceptimin për të kaluarën. Në këtë narrativë, Srebrenica paraqitet si një krim, por si një nga shumë krimet e luftës, ndërsa veçimi i saj interpretohet ekskluzivisht si mjet i presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë”, thotë Popoviq.

Ai shton se çdo rikujtim ndërkombëtar i gjenocidit shfrytëzohet për të krijuar ndjenjën se Serbia është sërish nën presion nga jashtë.

“Krijohet ndjenja e rrezikut për të forcuar pushtetin”, shtoi ai.

Sipas Popoviqit, pikërisht mbi këtë ndjenjë të rrezikimit ndërtohet logjika politike e pushtetit aktual. “Qytetarëve u dërgohet mesazhi se jemi sërish në shënjestër, se ekziston një komplot kundër Serbisë dhe se jemi të rrezikuar. Një narrativë e tillë ka një qëllim shumë të qartë”, nënvizoi Popoviq.

Siç shpjegon ai, kur shoqërisë i paraqitet ideja se i gjithë shteti është nën presion të jashtëm, bëhet më e lehtë të arsyetohet nevoja për unitet politik rreth një lideri të vetëm.

“Mesazhi është se duhet të braktisen debatet e brendshme, konfliktet dhe dialogu demokratik, dhe të mblidhemi nën një flamur të vetëm dhe nën dorën e fortë të një lideri autoritar. Ky nuk është një model i ri në histori, por Aleksandar Vuçiq e ka përsosur këtë parim në një nivel shumë të lartë”, vlerëson Popoviq.

Ai konsideron se pushteti nuk përpiqet më as të debatojë mbi faktet që lidhen me Srebrenicën.

“Gjenocidi në Srebrenicë nuk është më çështje faktesh, por një mjet politik. Ai paraqitet ekskluzivisht si instrument presioni ndaj pushtetit aktual, i cili në diskursin publik identifikohet me vetë shtetin e Serbisë”, tha ai.

Krimet e luftës si mjet për thellimin e konflikteve

Duke folur për marrëdhëniet në rajon, Popoviq vlerëson se krimet e luftës, në vend që të shërbejnë si bazë për pajtim, shpesh shndërrohen në instrument të konflikteve të reja politike.

“Marrëdhëniet në rajon prej kohësh nuk janë të mira, ndërsa qasja ndaj krimeve të luftës është vetëm një pjesë e këtij problemi. Më duket se çështja e krimeve të luftës sot përdoret shumë më shpesh si pretekst për përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve sesa për ndërtimin e besimit”, thotë ai.

Sipas tij, pushtetet në rajon shpesh e përdorin të kaluarën për ta ruajtur imazhin e fqinjit si armik. “Keqpërdoren faktet, njohuritë për krimet e luftës dhe vetë e kaluara për të prodhuar konflikte të reja dhe urrejtje të re”.

Një politikë e tillë, sipas tij, u shërben edhe nevojave të brendshme politike. “Në këtë mënyrë forcohet narrativa se pikërisht pushtetet janë mbrojtësit e vetëm të interesave kombëtare. Kur i bindni qytetarët se shteti ndodhet vazhdimisht nën kërcënim nga jashtë, çdo kritikë ndaj pushtetit mund të paraqitet si sulm ndaj interesave kombëtare”.

Popoviq shton se pikërisht këtu e sheh mekanizmin kryesor të mbijetesës së sistemit aktual politik. “Thelbi i pushtetit është krijimi i sa më shumë frikës dhe pasigurisë te qytetarët, e më pas paraqitja e vetes si mbrojtësi i vetëm”.

“E vërteta për të kaluarën nuk do të zhduket”

Pavarësisht narrativës dominuese zyrtare, Popoviq beson se në Serbi do të ketë njerëz që nuk do të heqin dorë nga ruajtja e fakteve për luftërat e viteve ’90.

“Një pjesë e shoqërisë që beson se është e rëndësishme të ruhet e vërteta për të kaluarën nuk do të dorëzohet kurrë, pavarësisht forcës dhe përpjekjeve të regjimit autoritar”, tha ai.

Sipas tij, bëhet fjalë për njerëz që besojnë se e vërteta është e rëndësishme jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen e shoqërisë.

“Ekzistojnë mënyra të ndryshme për të ruajtur kujtesën dhe faktet, por thelbi është që të mësojmë nga e kaluara. Shumë besojnë se për të ardhmen e vendit është e rëndësishme të ruajmë dijen për atë që ka ndodhur dhe mbi këtë bazë të ndërtojmë një shoqëri më të përgjegjshme”, tha Popoviq.

Një rol të veçantë, shton ai, do ta kenë brezat e rinj: “Po vijnë breza të rinj që në mënyrë të pashmangshme do të shtrojnë pyetjen se çfarë ndodhi dhe si ishte e mundur që një krim i tillë të ndodhte në Evropë në fund të shekullit XX”.

Për këtë arsye ai beson se përpjekjet e pushtetit për t’i shtyrë këto tema në plan të dytë nuk do të kenë sukses afatgjatë.

“Gjithmonë do të ketë njerëz që do të bëjnë pyetje. Dhe sapo të filloni të bëni pyetje dhe të mendoni për të kaluarën, jeni shumë më afër edhe gjetjes së përgjigjeve”, përfundoi Popoviq.


MË SHUME NGA Lajme