Shqipëria mbyll kapitujt e parë
Gjeraqina Tuhina|RTK-Bruksel
Shqipëria hyri në fazën me të rëndësishme të procesit të anëtarësimit, atë të mbylljes së kapitujve negociues.
Në konferencën ndërqeveritare, vendi mbylli për herë të parë tre kapituj në negociatat e anëtarësimit mes Tiranës dhe Brukselit.
"Inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë zbatimin e reformave të nevojshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, e cila është thelbësore, si dhe në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Të gjitha këto mbeten shtyllat themelore të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Si presidencë e Këshillit të BE-së, Irlanda do ta mbështesë Shqipërinë në vazhdimin e përafrimit të legjislacionit të saj kombëtar me acquis-in e BE-së dhe në avancimin e procesit të anëtarësimit”, tha Thomas Byrne, ministër për Çështjet Evropiane i Irlandës, presidenca e Këshillit të BE-së.
Duke përshëndetur arritjen e Shqipërisë, komisionerja evropiane për Zgjerim apeloi për vazhdimin e reformave kyçe, të domosdoshme për përparimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
"Ne e inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë përparimin në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, reformës në sistemin e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit dhe luftës kundër krimit të organizuar. Pikërisht për këtë arsye presim që Shqipëria të intensifikojë zbatimin e reformave të nevojshme dhe të marrë vendime në mënyrë transparente, me përgjegjshmëri dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse. Në këtë proces duhet të përfshihen të gjitha forcat politike, shoqëria civile dhe publiku i gjerë”, tha Marta Kos, komisionere për Zgjerim.
Delegacioni shqiptar u kryesua nga kryeministri Edi Rama. Ai e cilësoi këtë zhvillim si një pikë kthese në rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
"Ky nuk është thjesht një hap, por një vlerësim se Shqipëria po ecën përpara, se reformat po japin rezultate dhe se vendi ynë është i gatshëm të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit”, tha Rama.
Një nga temat që dominoi konferencën e përbashkët për shtyp pas mbledhjes ndërqeveritare ishte protesta e zhvilluar në Tiranë.
Komisionerja Marta Kos rikujtoi se Bashkimi Evropian dhe autoritetet shqiptare kishin arritur më herët një marrëveshje për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike. Sipas saj, autoritetet shqiptare duhet ta përmbyllin këtë proces sa më shpejt.
Kryeministri Rama konfirmoi se ligji për investimet strategjike do të shfuqizohet. Njëkohësisht, ai mbrojti ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke e cilësuar atë ndër më të mirët e miratuar dhe rezultat të një pune të gjatë për hartimin e tij.























