Mbretëria e Bashkuar dënon gjuhën e ministres serbe, e quan të neveritshme
Medina Pasoma / RTKlive
Ambasada britanike në Kosovë ka dënuar deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, duke i quajtur ato “të neveritshme”.
"Ne i dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, përfshirë referencat e saj për spastrimin etnik të Kosovës. Ato janë krejtësisht të neveritshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme”, thuhet në deklarimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO), të publikuar në faqen e Ambasadës britanike në Facebook.
Në reagim tutje thuhet se deklaratat e tilla synojnë të rihapin ndasitë e vjetra dhe të nxisin tensione.
“Në një kohë kur vendet në Ballkanin Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe shumetnike, deklarata të tilla synojnë të rihapin ndasitë e vjetra dhe të nxisin tensione. Udhëheqësit politikë me përgjegjësi duhet ta refuzojnë një gjuhë të tillë qartë dhe pa asnjë mëdyshje. Ne e marrim parasysh distancimin e presidentit Vuçiq nga këto komente”, thuhet tutje në deklaratë.
Kosova e ka shpallur persona non grata Snezhana Paunoviqin, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen apo kalimin tranzit përmes Kosovës. Vendimi u mor pas deklaratës së Paunoviqit “se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën më 1998”.
Për këtë deklaratë të dhënë gjatë një interviste reaguan edhe qarqet ndërkombëtare. Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së theksoi se “në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik”.
"Ato deklarata janë gjithashtu në kundërshtim me zotimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Prandaj, ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal", deklaroi Hipper.























