Hykolli: BE-ja shpreh gatishmëri për bashkëpunim me BSPK-në
M.Sh/RTKLive
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka marrë pjesë në Debatin e Nivelit të Lartë për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, të mbajtur në kuadër të Sesionit Plenar të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) në Bruksel.
Sipas njoftimit të BSPK-së, Hykolli, në cilësinë e anëtarit të EESC-së, mori pjesë në debat së bashku me kryetarin e Komisionit Statutar të BSPK-së, Blendor Shatri. Debati u hap nga kryetari i EESC-së, Séamus Boland, ndërsa fjalimin kryesor e mbajti Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos.
Në sesion morën pjesë anëtarë të EESC-së nga shtetet anëtare të BE-së, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, si dhe përfaqësues të sindikatave, punëdhënësve dhe shoqërisë civile nga vendet kandidate për anëtarësim. Pjesëmarrësit riafirmuan rëndësinë e zgjerimit të BE-së si një investim gjeostrategjik dhe theksuan rolin e dialogut social në këtë proces.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Hykolli zhvilloi takime të veçanta me kryetarin e EESC-së, Séamus Boland, dhe me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos.
Sipas BSPK-së, Boland dhe Kos shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me BSPK-në në kuadër të procesit të integrimit evropian të Kosovës. Ata vlerësuan rolin e sindikatave në forcimin e dialogut social dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, duke theksuar se përfshirja e partnerëve socialë është thelbësore që procesi i zgjerimit të sjellë përfitime konkrete për qytetarët.
Pas takimeve, Hykolli tha se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian duhet të jetë edhe rrugë e punëtorëve.
"Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian nuk mund të jetë vetëm rrugë e institucioneve. Ajo duhet të jetë rrugë e njerëzve, e para së gjithash e punëtorëve. Interesimi i shprehur sot nga nivelet më të larta evropiane për të punuar ngushtë me BSPK-në dëshmon se zëri i punëtorëve të Kosovës dëgjohet në Bruksel dhe se ky zë do të jetë i pranishëm në çdo tryezë ku vendoset për të ardhmen evropiane të vendit tonë", deklaroi ai.
BSPK bëri të ditur se do të vazhdojë angazhimin për të forcuar bashkëpunimin me EESC-në dhe institucionet evropiane, me synim që procesi i integrimit evropian të ecë paralelisht me mbrojtjen e të drejtave dhe mirëqenies së punëtorëve të Kosovës.























