Paunoviq i kërkon falje Vuçiqit për deklaratën `për spastrim etnik`
BKT
Lajme

Paunoviq i kërkon falje Vuçiqit për deklaratën `për spastrim etnik`

B.H./RTKlive

Ministrja serbe për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, ka deklaruar se deklarata e saj për "spastrimin etnik në Kosovë" është nxjerrë jashtë kontekstit, ndërsa u ka kërkuar falje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut për, siç u shpreh ajo, "sulmet që u janë bërë pa faj".

Duke folur në televizionin Informer, Paunoviq tha se nga e gjithë intervista janë shkëputur vetëm shtatë sekonda dhe se prej tyre është krijuar një çështje politike.

"Kjo ishte historia ime personale, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme të shpjegoj se kjo nuk është politikë e presidentit dhe as e qeverisë", tha ajo.

Paunoviq falënderoi ata që e mbështetën pas reagimeve ndaj deklaratës së saj, duke veçuar Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), ku është anëtare. Ajo kritikoi zyrtarin e SPS-së, Branko Ruzhiq, për qëndrimin e tij, duke thënë se ai nuk ka të drejtë të flasë për politikën e viteve ’90, pasi nuk ka qenë pjesë e partisë në atë periudhë.

Ajo kritikoi gjithashtu opozitën dhe mediat që dënuan deklaratën e saj, duke pretenduar se reagimet kishin motive politike.

Ndërkaq, vendimin e institucioneve të Kosovës për ta shpallur person ‘non grata’, Paunoviq e cilësoi paradoksal, duke shtuar se tashmë katër vjet nuk i lejohet hyrja në Kosovë.


MË SHUME NGA Lajme