Ballkani mposht Connah`s Quay Nomads, kalon në rundin e dytë të LK
BKT
Sport

Ballkani mposht Connah`s Quay Nomads, kalon në rundin e dytë të LK

F.Bytyqi/RTKLive

(E përditësuar, 21:52)-Ballkani ka siguruar kalimin në raundin e dytë kualifikues të UEFA Conference League, pasi mposhti Connah’s Quay Nomads me rezultat 3-2 në ndeshjen e kthimit të zhvilluar të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Pas barazimit 0-0 në sfidën e parë në Uells, skuadra nga Suhareka e nisi më mirë përballjen në Prishtinë dhe dominuan pjesën e parë.

Goli i epërsisë erdhi në minutën e 20-të, kur Edvin Kuç shfrytëzoi një rast të mirë për ta kaluar Ballkanin në avantazh. Me rezultatin 1-0 u mbyllën 45 minutat e para.

Skuadra jonë e nisi furishëm pjesën e dytë dhe brenda pak minutash krijoi një epërsi të thellë. Giovanni realizoi për 2-0 në minutën e 49-të, ndërsa Serebe shtoi edhe golin e tretë në minutën e 57-të.

Megjithatë, ekipi uellsian reagoi dhe e bëri fundin e ndeshjes emocionues. Woodcock ngushtoi rezultatin në 3-1 nga pika e bardhë në minutën e 69-të, ndërsa Mehasseb shënoi edhe golin e dytë për mysafirët në minutën e 76-të.

Connah’s Quay ushtroi presion në minutat e fundit dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por Ballkani arriti ta ruajë avantazhin deri në fund.

Ndeshja përfundoi me fitoren 3-2 të Ballkanit, rezultat që i siguroi skuadrës sonë kualifikimin në raundin e dytë të UEFA Conference League.

Ballkani po dominon ndaj Connah`s Quay Nomads në ‘Fadil Vokrri’

(E përditësuar, 20:47)-Ballkani po zhvillon një paraqitje të mirë në ndeshjen e kthimit ndaj Connah’s Quay Nomads, e vlefshme për raundin e parë kualifikues të UEFA Conference League.

Skuadra nga Suhareka po përballet me ekipin uellsian në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një duel që po transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Ballkani ishte më kërkues gjatë pjesës së parë, duke krijuar më shumë raste dhe duke e vendosur shpesh në vështirësi mbrojtjen kundërshtare. Presioni i vendasve u shpërblye në minutën e 20-të, kur Edvin Kuç realizoi golin e avantazhit për kampionët e Kosovës.

Me këtë rezultat, skuadrat shkuan në pushimin mes dy pjesëve, ndërsa Ballkani mbajti epërsinë 1-0.

Kujtojmë se ndeshja e parë, e zhvilluar javën e kaluar në Uells, përfundoi me rezultat 0-0, duke e lënë gjithçka të hapur për duelin e kthimit.

Nis ndeshja Ballkani- Connah`s Quay Nomads, LIVE në RTK

Ka nisur dueli mes FC Ballkanit dhe Connah`s Quay Nomads.

Ballkani dhe Connah`s Quay Nomads po luajnë në ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen e kthyese të raundit të parë kualifikues të UEFA Conference League, ndeshje që mund ta ndiqni drejtpërdrejt në RTK.

Përballja e parë, e zhvilluar javën e kaluar në Uells, përfundoi pa fitues dhe pa gola, 0:0, duke e lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e sontme.

Ballkani synon të shfrytëzojë përkrahjen e tifozëve në shtëpi për të siguruar kalimin në raundin e dytë kualifikues të garës evropiane, ndërsa mysafirët nga Uellsi do të kërkojnë të befasojnë në Prishtinë.