Parandalohet tjetërsimi i 21 pronave në Mitrovicë të Veriut, ka të rrestuar
BKT
Lajme

Parandalohet tjetërsimi i 21 pronave në Mitrovicë të Veriut, ka të rrestuar

N. Mekolli /RTKlive

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një tentim për sigurimin e dokumentacionit noterial me qëllim tjetërsimin e kundërligjshëm të 21 pronave të paluajtshme. Aksioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësia Rajonale në Mitrovicë Veri.

Sipas hetimeve fillestare, të dyshuarit kanë përdorur një dokument identifikues të falsifikuar dhe dokumente të tjera përcjellëse për të siguruar një autorizim noterial për shitblerjen e pronave në emër të një personi tjetër, pa dijeninë e tij. Dokumenti i falsifikuar përmbante të dhënat e pronarit, por me fotografinë e një personi tjetër, i cili dyshohet se do të paraqitej para noterit me identitet të rremë.

Tentimi është zbuluar gjatë verifikimit të dokumentacionit, ku janë evidentuar mospërputhje në të dhëna, duke ngritur dyshime për autenticitetin e tyre. Si rezultat, procedura është ndërprerë para përfundimit të aktit noterial.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar tre persona, ndaj të cilëve me vendim të prokurorit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar dokumente të ndryshme pronësore, pajisje elektronike, një automjet dhe materiale të tjera që pritet të shërbejnë si prova.

Bëhet e ditur se hetimet do të vazhdojnë për të verifikuar origjinën dhe përdorimin e dokumenteve të sekuestruara, duke ritheksuar përkushtimin për luftimin e krimeve kundër pasurisë dhe mbrojtjen e pronës së qytetarëve.


MË SHUME NGA Lajme