Hoxha-Gjuriq në Washington, në fokus deklaratat e Paunoviqit
Sh. Çoçaj/RTKLive
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka bërë të ditur se është takuar me homologun e tij serb, Marko Gjuriq, në margjinat e një takimi ministror në Washington.
Sipas Hoxhës, gjatë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale dhe perspektivat e bashkëpunimit, ndërsa ai tha se ia përcolli Gjuriqit qëndrimin e Shqipërisë lidhur me deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq për Kosovën.
"Po ashtu, ritheksova qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë lidhur me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë. Nënvizova nevojën për të refuzuar pa asnjë mëdyshje retorikën që nxit tensione, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe vlerave europiane", deklaroi ai.
Ai shtoi se pikërisht ky është roli i diplomacisë.
"Të angazhohesh në dialog të hapur, të përballesh sy më sy, të përballosh realitetin dhe t'i trajtosh dallimet me përgjegjësi", theksoi ai.
Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, njoftoi për takimin përmes rrjetit social X, por në deklarimin e tij nuk përmendi çështjen e deklaratave të Paunoviqit.
"Angazhimi i vazhdueshëm në dialogun politik mbetet thelbësor për garantimin e stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit, siç e theksova gjatë bisedës sime me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, në margjinat e Takimit Ministror në Uashington. Gjithashtu, identifikuam mundësi të tjera për të avancuar marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të forcuar bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë", shkroi ai.























