Kosova në seancën plenare të KESE-së, Puka dënon deklaratën e Paunoviqit
B.H./RTKlive
Kosova ka marrë pjesë për herë të parë si vend kandidat për zgjerim në Sesionin Plenar të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (KESE), në kuadër të tryezës së nivelit të lartë për zgjerimin e Bashkimit Evropian, të mbajtur në Bruksel.
Në sesionin hapës morën fjalën presidenti i KESE-së, Séamus Boland, dhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila theksoi se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm proces reformash teknike, por një transformim që forcon demokracinë, institucionet dhe të drejtat themelore.
Kosovën në diskutimin plenar "Përshpejtimi i konvergjencës socio-ekonomike me BE-në për të nxitur rritjen dhe konkurrencën evropiane" e përfaqësoi drejtori ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Dren Puka.
Sipas njoftimit të KCSF-së, Puka falënderoi KESE-në për rishqyrtimin e vendimit fillestar, i cili e kishte lënë Kosovën jashtë Nismës për Anëtarë Kandidatë për Zgjerim, duke theksuar se përfshirja e shoqërisë civile është thelbësore për suksesin e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Ai ngriti shqetësimin për rritjen e presionit politik dhe financiar ndaj organizatave të shoqërisë civile në rajon, duke përmendur se pas tërheqjes së USAID-it janë humbur mbi 120 milionë euro financime për Ballkanin Perëndimor, prej tyre rreth 26 milionë euro në Kosovë. Puka kërkoi që në Kornizën e re Financiare Shumëvjeçare të BE-së financimi për shoqërinë civile të pavarur të trajtohet si prioritet strategjik.
Gjatë fjalimit të tij, Puka reagoi edhe ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila kishte deklaruar se, sikur të ishte Sllobodan Millosheviq, do ta kishte "pastruar etnikisht" Kosovën në vitin 1998.
Ai e cilësoi këtë deklaratë si një kujtesë për rrezikun që paraqet pushteti pa përgjegjësi dhe llogaridhënie, duke theksuar se retorika e luftës vazhdon të jetë e pranishme në rajon dhe se Bashkimi Evropian nuk duhet të heshtë përballë saj.
Duke iu referuar mesazhit të komisioneres Marta Kos se paqja është vlera themelore e Bashkimit Evropian, Puka tha se konvergjenca me BE-në nënkupton para së gjithash përqafimin e vlerave evropiane.
"Vetëm veprimi konkret nga Bashkimi Evropian e bën thënien 'kurrë më luftë' një premtim për të ardhmen, e jo vetëm një kujtim të së kaluarës", u shpreh ai.
Përveç përfaqësuesit të KCSF-së, në këtë seancë plenare morën pjesë edhe përfaqësues nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe Platforma Civikos.























