Kosova dhe Mali i Zi me marrëveshje për njohjen e identifikimit elektronik
BKT
Lajme

Kosova dhe Mali i Zi me marrëveshje për njohjen e identifikimit elektronik

Medina Pasoma / RTKlive

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik, e cila synon të lehtësojë përdorimin e shërbimeve digjitale ndërmjet dy vendeve dhe të forcojë bashkëpunimin në kuadër të transformimit digjital dhe integrimit evropian.

Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, tha se marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe afrimit me Bashkimin Evropian.

"Po e fillojmë këtë proces me vendin mik, Malin e Zi. Këtë proces do ta vazhdojmë edhe me vende të tjera në rajon, me synimin që të arrijmë njohjen reciproke të këtyre shërbimeve edhe me vendet e BE-së. Kjo është shumë e rëndësishme për qytetarët tanë, sepse hap derën për shërbime plotësisht digjitale që i tejkalojnë kufijtë e vendit tonë", tha ai.

Ai theksoi se Kosova po avancon reformat në transformimin digjital, duke përmendur platformën e-Kosova, e cila tashmë ofron mbi 320 shërbime elektronike për qytetarët dhe bizneset, si dhe zhvillimin e identifikimit elektronik dhe kuletës digjitale.

Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, tha se marrëveshja do të sjellë përfitime për qytetarët, bizneset dhe procesin e integrimit evropian të të dy vendeve.

"Po i heqim kufijtë digjitalë me Republikën e Kosovës. Kjo marrëveshje ka rëndësi të madhe për qytetarët, bizneset dhe bashkëpunimin që është kyç për integrimin tonë në Bashkimin Evropian", tha Dukaj.

Ai shtoi se Mali i Zi synon ta nënshkruajë këtë marrëveshje me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor deri në fund të tetorit, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në kuadër të Planit të Rritjes dhe integrimit evropian.


MË SHUME NGA Lajme